Kosova

Koordinatori Hoti: Pjesëmarrja në Garën Nacionale të Diturisë ishte masovike

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, në konferencën për media shpalosi zbatimin e deritanishëm të fazave të Programit Nacional për Rininë.

Hoti tregoi se gara e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe tha se në nivelin e shkollës janë rreth 15000 fitues, ndërkaq në nivelin komunal të garës janë rreth 1700 fitues.

Pas detajeve për garën e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik, Hoti foli për garën e Diturisë e cila u mbajt më 11 maj, për të cilën ai tha se është ndarë i kënaqur nga raportet preliminare që ka pranuar nga komunat.

“Ne tashmë kemi pranuar shumicën e raporteve preliminare nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Që të gjitha raportet tregojnë një masovitet të pjesëmarrjes së nxënësve me mbi 95% në garën e Diturisë. Sa i përket testeve, dua t’ju tregoj se janë hartuar gjithsej 346 teste, që kapin rreth 2500 faqe, me gjithsej 2863 pyetje me një tirazh 423000 copë për 23 lëndë për gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake. Në mesin e kësaj shumëllojshmërie testesh, gabimet janë të mundshme. Deri tanë ne kemi evidentuar disa gabime dhe kjo kap një shifër prej 0.69% të gabimeve në të gjitha testet.”, tha Hoti.

Me këtë rast Hoti falënderoi edhe Kryetarët e Komunave, Drejtorët Komunalë të Arsimit, stafin e mësimdhënësve dhe nxënësit që në mënyrë masovike iu përgjigjën garës.  

Ndërsa, për garën e Sportit ai bëri të ditur se deri tani nuk është shpenzuar asnjë mjet financiar pasi që, këto gara do të fillojnë në muajin shtator. /Kosova.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.