Kosova

Konkluzionet e BE-së për liberalizimin e vizave- Haradinaj tregon nëse taksa është pengesa kryesore e procesit

Kryeministrit i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka folur për publikimin e draft-dokumentit nga Këshilli i Ministrave të BE-së lidhur me procesin e liberalizimin të vizave për Kosovën, raporton Gazeta Blic.

Ai ka përgënjeshtruar informacionet që siç ai tha është marrë vendim negativ për këtë proces.

“Mendoj që është mirë të bëjmë një dallim për këtë natyrë të quajmë ashtu të dalurave të Këshillit, pra konkluzionet. Asnjë prej tyre nuk janë vendime. Të thuhet se është marrë vendim nuk është e vërtetë. Sa i përket liberalizimit gjendja është korrekte ashtu sic e kemi pritur. Aktualisht propozimi për të marrë vendim është konsideratë nga këshilli. Për t’u marrë vendimi duhet të hyjmë në agjendë”

“Është me rëndësi që për herë të parë në konkluzione jemi ashtu sic jemi. Mos harroni ka mujt të ndodh që në konkluzione të mos jetë çështja e liberalizimit. Në konkluzione kemi hyrë pastaj është vendimi që edhe mund të jetë negativ por ne e dimë që është pozitiv”, tha Haradinaj.

Ai tha se në në kushtet e vendosura për liberalizimin e vizave nuk përmendet taksa.

“Paksa është një problem në marrëdhëniet me të gjithë. Është një temë e ngritur, ndikon por ne nuk e kemi procesin e dialogut në BE nuk e kemi të kushtëzuar me taksën, por kërkohet që t’i hapet rrugë dialogut. Kosova i ka zbatuar të gjitha kushtet dhe në pikën ku flitet për liberalizim nuk përmendet taksa”, tha ndër të tjera ai.
“Taksa është e vërtetë që ka krijuar një atmosferë të caktuar por gjermanët nuk e kanë kushtëzuar këtë vendim me taksën”, tha ai.