Konjufca uron Kurban Bajramin: Të punojmë së bashku për përparimin e vendit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, uroi besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit. Ai tha se kjo festë është një datë e rëndësishme e cila shënon kulmin e pelegrinazhit të haxhit në Mekë dhe Medinë dhe sakrificën e besimtarit mysliman.

Janë ditë të bukura gëzimi dhe paqeje të cilat frymëzojnë dashuri familjare, sjellin frymën e solidaritetit dhe manifestojnë vlerën e përkushtimit të patundur. Me këtë rast, shpreh urimet tona të ngrohta, me dëshirën për ta kaluar këtë festë me shëndet, lumturi dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit”, uroi Konjufca.

Konjufca tha se kësaj here, edhe pse manifestimi i Bajramit është lehtësuar dukshëm, qytetarët nuk duhet të hezitojnë të vaksinohen e të tregojnë kujdes të vazhdueshëm për shëndetin e tyre dhe të tjerëve.

“Le të punojmë së bashku për të mirën e qytetarëve dhe përparimin e vendit tonë. Jam i bindur se me devotshmëri dhe përpjekje të përbashkëta arrihet suksesi politik, rritja ekonomike dhe mirëqenia sociale e popullit tonë. Zoti ju bekoftë të gjithëve! Urime festën!”, përfundoi Konjufca.

Go to TOP