Kosova

Konjufca pjesëmarrës virtual në Forumin e Dytë Ministror të Selanikut, kërkon heqjen e fusnotës…

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, njoftoi se ishte pjesëmarrës në Forumin e Dytë Ministror të Selanikut, që u organizua në formë virtuale nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov. Konjufca, ka kërkuar heqjen e fusnotës në emër të Kosovës.

Konjufca përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se ka bërë kërkesë edhe për heqjen e vizave.

“Meqenëse ky është Forumi i Dytë Ministror i Selanikut 2020, unë shfrytëzoj rastin të uroj Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe BE-në për hapjen e negociatave të pranimit. Bashkë me mbështetjen e lartpërmendur, që ne të gjithë e kemi marrë për të luftuar COVID-19, unë do të përsëris kërkesën time për lëvizje të lirë, pa viza, për qytetarët e Kosovës. Kjo do të ishte garancia më e mirë që përfshirja e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një frazë, por një qëllim, që duhet, me shpresë, të arrihet sa më parë”, njofton Konjufca.

Ministri i jashtëm në detyrë, tutje thekson se si një kontribut në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit rajonal, Qeveria e Republikës së Kosovës mori vendimin për të zëvendësuar tarifën 100% me masa të reciprocitetit gradual, duke sjellë kështu një frymë të re në fazën e re të dialogut midis dy shteteve: Kosovës dhe Serbisë.

“Shpresojmë se masat do të njihen si të tilla nga homologët tanë në Beograd’, thekson Konjufca.

“Fusnota në emrin e Republikës së Kosovës duhet të hiqet nga deklarata e mbledhjes së sotme. Qeveria e Serbisë, duke pyetur nëse Deklarata e Pavarësisë ishte në përputhje me ligjin ndërkombëtar, e inicioi procesin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Edhe pasi e morën përgjigjen, autoritetet e Serbisë nuk po e njohin vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, është shprehur tutje Konjufca.

Tutje, ministri i jashtëm ka kujtuar edhe Opinionin e Tribunalit të Hagës.

“Unë do të doja të shfrytëzoja këtë rast për t’ju kujtuar edhe një herë Opinionin e Tribunalit të Hagës të 22 korrikut 2010: “Gjykata ka konkluduar më lart se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, nuk e cenon ligjin e përgjithshëm ndërkombëtar, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit (1999) ose Kuadrin Kushtetues. Si pasojë, miratimi i asaj Deklarate nuk cenon asnjë rregull të zbatueshëm të së drejtës ndërkombëtare.” Kosova është anëtare e një numri të konsiderueshëm organizatash kontinentale dhe ndërkombëtare, si: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në të tri këto organizata Kosova pranohet pa fusnotë”, thotë ai.

Konjufca thotë se fusnota paraqet një mënyrë të vjetruar për të përfaqësuar Republikën e Kosovës.

“Edhe në takimet e fundit rajonale në deklaratat e përbashkëta nën Procesin e Berlinit, ajo nuk është përdorur më. Fusnota ishte menduar si një formë e thyerjes së akullit midis dy palëve në forume rajonale. Tani takimet e përbashkëta rajonale, në të cilat Kosova dhe Serbia marrin pjesë së bashku, janë bërë rutinore. Fusnota tashmë është tejkaluar”, njofton ministri i jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca.

Sot, në cilësinë e Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, së bashku me Shefin e Kabinetit, z….

Gepostet von Glauk Konjufca am Dienstag, 19. Mai 2020