EKONOMI

Konfindustria mirëpret pranimin e kërkesës nga ana e Kryeministrit Edi Rama, kërkesë që ka të bëjë me rikthimin në normalitet ekonomik

Konfindustria mirëpret pranimin nga ana e Kryeministrit z. Edi Rama të kërkesës të saj për rikthimin në normalitet të ekonomisë, shumicës së kategorive të bizneseve dhe lëvizjes së qytetarëve në gjithë hapësirën gjeografike të vendit, duke shënuar praktikisht nga 1 qershori 2020 fundin e masave kundër Covid 19 – përcjell Kosova.info

 Vendimi në fjalë është i mirëpritur, por mjaft i vonuar në kohë, duke shkaktuar rritje të paarsyeshme të dëmeve ekonomike dhe financiare plotësisht të shmangshme.

Konfindustria vlerëson, se masat shtrënguese jopërpjestimore me shkallën e rrezikut real shëndetësor në vend dhe sidomos vonesat e paarsyetuara të kalimit në normalitet, kanë shkaktuar rritjen e paarsyetuar të faturës financiare në dëm të bizneseve, qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare në afatgjatë. Sipas vlerësimeve krahësimore me vende të tjera të Rajonit, keqmenaxhimi i krizës ka prodhuar një dëm financiar në të paktën 350 milion $ të llogaritur vetëm për muajt mars-prill 2020. Në vlerën e mësipërme nuk janë llogaritur dëmet financiare të shkaktuara nga vonesat e kalimit në normalitet në muajin maj në vazhdim.

Konfindustria ka vlerësuar, se fatura financiare e krizës Covid për ekonominë formale në muajt mars prill është mbi 1.2 miliard $ dhe ekonominë reale mbi 2 miliard $./Kosova.info/