Kombëtare

Komunës së Prishtinës i del punë me Autoritetin e Konkurrencës për çështjen e kioskave

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, muajin që sapo lamë pas bëri të ditur se tashmë ka dalë shpallja për kioskat e reja në kryeqytet.

I pari i Prishtinës, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se kioskat do të jenë në 36 lokacione dhe se ato do të jenë me madhësi të ndryshme

Por, për këtë shpallje janë ngjallur dyshime për shkelje ligjore gjatë këtij procesi.

Lëvizja Vetëvendosje, gjatë fundjavës që lamë pas, përmes një konference për media, tha se ky proces është duke u përballur me parregullsi të vazhdueshme dhe shkelje të ligjit dhe se për këtë ftuan Prokurorinë dhe Autoritetin e Konkurrencës që të hetojnë, raporton Koha.net.

E para pak minutash, kreu i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), Valon Prestreshi, tha se kanë pranuar një ankesë kundër Komunës së Prishtinës pikërisht për çështjen e kioskave.

“Sapo u informova nga departamenti i hetimeve në kuadër të AKK-së se është pranuar një ankesë nga disa persona kundër Komunës së Prishtinës, me pretendime që komuna paska vendosur specifikacione anti-konkurruese për kioskat e kryeqytetit”, ka shkruar Prestreshi, raporton Koha.net.

Ai bëri me dije se ka caktuar grupin punues për këtë rast dhe tha se AKK do të veprojë sipas dispozitave të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.