Kombëtare

Komuna e VV-së vendos vet për një tender, nuk e pret neglizhencën e qeverisë për Bordin e OSHP-së

Komunat po e shfrytëzojnë mungesën e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit që të nënshkruajnë kontrata të cilat potencialisht mund të mos jenë në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik. Këtë hendek e ka shfrytëzuar, komuna e Mitrovicës e cila udhëhiqet nga Agim Bahtiri.

Zyra e prokurimit të Komunës së Mitrovicës ka nënshkruar kontratë për tenderin “Ndriçimi publik në të gjitha rrugët e qytetit, në qytet dhe periferi”.

Pasi i ishte refuzuar ankesa nga komuna, lidhur më këtë procedurë të prokurimit, para disa javësh një kompani ishte ankuar në OSHP se komuna kishte shkelur ligjin e prokurimit kur e kishte rekomanduar për kontratë kompaninë “Montimi” lidhur më këtë tender, shkruan lajmi.net.

Më pas sekretariati i OSHP-së ka caktuar një ekspert për të trajtuar këtë ankesë. Eksperti ka miratuar pjesërisht ankesën e kompanisë “MB Group”, por në fund ka rekomanduar Panelin Shqyrtues që ankesa të miratohet pjesërisht, por të mbesë në fuqi vendimi i komunës për dhënie të kontratës.

Komuna që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pritur vendimin e Panelit Shqyrtues, por ka marr vendim që të nënshkruaj kontrata vetëm mbi bazën e mendimit të ekspertit. Ndërkohë, kujtojmë që OSHP-ja është pa Bord drejtues që 4 muaj dhe qeveria që drejtohet nga Lëviza Vendvendosje tashmë ka miratuar emrat e propozuar për anëtarë të Bordit dhe të njëjtit akoma nuk janë dërguar në Kuvend për miratim.

Tashmë janë dhjetëra ankesa të drejtuara në OSHP që presin një vendim të Bordit, dhe institucionet po mbahen ‘peng’ në shumë projekte, duke mos mundur të procedojnë pa u marr një vendim final nga Paneli.

Por, Komuna e Mitrovicës ka larguar vendimin për pezullim të këtij aktiviteti që e kishte vendosur që disa jave.

“Nuk jemi i vetmi Autoritet Kontraktues -AK që e kemi largue Pezullimin për shkak te mosfunkcionimit te Bordit te OSHP-së, ka edhe shumë AK dhe Institucione tjera për arsye se AK-se nuk kanë kurfar faji pse nuk formohet Bordi i OSHP-së. Lëndët kanë mbetë peng i Panelit te OSHP-së, procedurat kanë mbet peng. Ne si AK kemi marrë një ekspertizë nga Eksperti ku në ekspertizë na jep plotësishtë te drejtë në vendimin e marrë dhe cekë shumë mire citoj”te mbetet në fuqi vendimi i AK” dhe pretendimet e ankimore te O.E. nuk kanë kurfar baze ligjore plus O.E. i  propozuar është me çmimin më te ulët se te gjithë O.E. tjerë dhe i plotëson te gjitha kriteret e kërkuara me DT dhe Njoftimin për Kontratë”, ka thënë për lajmi.net Haxhimet Ferati, zyrtar i prokurimit në Komunën e Mitrovicës.

“Në Kolegjiumin për Prokurim Publik që kam marrë pjesë personalisht dhe të gjithë pjesëmarrësit nga AK kemi kërkuar një sqarim prej anëtarit te Bordit të KRPP-së i cili na sqaron se ne si AK nuk kemi kurrfarë faji se pse Bordi i OSHP-së nuk është funksional edhe AK nuk mund te pres pafundësisht kur të kalojnë dhe te shterren te gjitha afatet ligjore si në bazë te LPP-së dhe Ligjin e Procedurës Administrative ashtu  ku afatet janë 15 ditë për ekspertin dhe 20 ditë për Panelin e OSHP-së për sjellje të një Vendimi, kurse procedura jonë ka më shumë se 70 ditë prej kur AK ka marrë vendim dhe për AK-Komuna e Mitrovicës kemi pas një lehtësim sepse edhe eksperti i OSHP-së i ka  dhanë plotësisht te drejtë AK sa i përket kësaj procedure”, ka shtuar tutje Ferati.

Edhe pse eksperti i OSHP-së ka qenë i mendimit që duhet të lihet në fuqi vendimi i Komunës, dhe se këtë duhet ta miratojë Paneli, në shumë raste Paneli Shqyrtues ka vendosur kundër mendimit të ekspertit shqyrtues në trajtimin e një ankese, qoftë kur ai ka qenë pro apo kundër.

Publikimi për ‘njoftim për nënshkrimin e kontratës” lidhur më këtë tender është ngarkuar nga ana e komunës në E-prokurim me datë 26 korrik, ndërsa në këtë dokument shkruan se data e nënshkrimit te kontratës është 23.07.2021, pra 3 ditë më herët.

Vlera e parashikuar e kontratës është 480 000,00 euro, për tri vite, kurse tenderin e ka fituar kompania “Termomontim” me çmim prej 580,38 euro. Në këtë tender është përdorur procedura me poentim të çmimit. Një nga format më të shpeshta të keqpërdorimeve është përdorimi i kësaj procedure ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendosë sasinë 1 për secilin artikuj. Pastaj përmes poentimit të çmimit vendosë për fituesin e kontratës.

Komuna ka vendosur në paramasë 78 artikuj, dhe nuk ka shënuar ndonjë shifër të kërkesës për sasinë e produkteve, por pozicionet janë të vendosura vetëm nga një njësi, që më pastaj kompanitë të mund të vendosnin vendosin çmimet e tyre në secilin prej tyre.

Para disa ditëve, lajmi.net ka raportuar se kompania fituese për pozicione të ndryshe janë vendosur çmime shumë më të ulëta se çmimet e tregut për 100 për qind, dhe disa shumë më të larta. Ajo ka vendosur çmim prej 1 euro në furnizim me shtylla, kurse ka vendosur çmime enorme tek furnizimi me kabllo, për të cilin pozicion kompania mund të jetë në dijeni se i duhet gjatë gjithë kohës për furnim komunës.