Kosova

Komuna e Prishtinës porositë 18 mijë teste antigjen për COVID-19, Ahmeti: Testet do të jenë gati kah fundi i javës

Komuna e Prishtinës ka porositur edhe 18 mijë teste antigjen për COVID-19.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, tha se këto teste janë të shpejta dhe mund të përdoren për testim të shpejt të grupeve të mëdha si në shkolla e organizata.

“Në qoftë se gjithcka shkon në rregull, këto do të jenë gati kah fundi i javës tjetër”, shkroi Ahmeti.

Ndërsa, dje ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se tash e tutje në institucionet publike të Kujdesit Parësor Shëndetësor mund të kryhen edhe testet diagnostike rapide të antigjenit SARS COV.

Postimi i plotë i Ahmetit pa ndërhyrje:

Sot në treg ekzistojnë tri lloj testesh për Covid

– PCR që e detekton ADN-në e virusit (IKSHP dhe privat) i cili është më i sakti por merr shumë kohë

– serologjik apo i gjakut që detekton antitrupat në gjak – (Komuna Pr dhe privat) – detektohet vetëm në ditën e shtatë të virusit

– testet antigjen – që detekton proteinat brenda ose afër virusit – është i shpejtë dhe merret strisho e pshtymes

Komuna e Prishtinës tashmë ka porositur edhe 18,000 teste antigjen të cilat janë të shpejta dhe mund të përdoren për testim të shpejtë të grupeve më të mëdha si në shkolla e organizata.

Në qoftë se gjithcka shkon në rregull, këto do të jenë gati kah fundi i javës tjetër. /Express/