EKONOMI

Komuna e Prishtinës 5 milionë euro për rreth 20 mijë biznese

Komuna e Prishtinës, ka marrë vendim për t’u dalë në ndihmë me mjete financiare prej rreth 5 milionë euro, bizneseve të vogla dhe të mesme, me rastin dëmtimeve për shkak të Covid-19.

Rreth 20 mijë biznese, do të kenë mundësi të përfitojnë nga kjo pako, duke përjashtuar ato të cilat kanë përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, thotë se kjo pako është aprovuar që nga muaji prill, mirëpo për arsye politike Ministria e Financave nuk ka arritur të përcjellë deri në Kuvendin e Kosovës.

Derisa, bëri të ditur se nga tani bizneset do të mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo pako.

“Kjo pako aktualisht ende nuk ka filluar, pakoja fillimisht është aprovuar në mbledhjen urgjente të Kuvendit Komunal në muajin prill, por që për arsye politike nuk arriti Ministria e Financave me përcjell deri në Kuvendin e Kosovës. Me ç’ rast është dashur të aprovohen, bartjet e mjeteve nga investimet kapitale në granatet e parapara për bizneset e dëmtuara gjatë pandemisë. Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal, janë aprovuar bartjet e këtyre mjeteve, pas konsultave edhe me ministren e Financave. Ne dje e kemi marrë edhe ligjshmërinë nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, prandaj prej sot jemi në gatishmëri të startojmë me aplikacionin, i cili i mundëson bizneset të aplikojnë për format e grandëve të ndryshme”, thotë ai.

Nushi për KosovaPress flet edhe rreth kritereve që bizneset duhet t’i plotësojnë për përfitim të granteve, e që sipas tij, bizneset duhet të jenë të regjistruara në ATK si dhe pagues të obligimeve mujore.

“Bëhet fjalë për rreth dikund 20 mijë biznese, saktësisht është 19 mijë e 920 biznese të regjistruara në ATK, të cilat paguajnë obligimet mujore, edhe ky është njëri prej kritereve nuk mund të kesh të regjistruar biznesin pran Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe të mos funksionosh, të jesh pasiv. Vetëm bizneset aktive të cilat kanë funksionuar dhe kanë punuar, ato kanë të drejtë të aplikojnë për këto grande. Prandaj bëhet fjalë saktë për 19 mijë e 920 biznese të regjistruara në databazën e ATK-së”, thotë ai.

Ai shtoi se bizneset të cilat kanë përfituar nga pakoja e Qeverisë, nuk mund të përfitojnë edhe nga pako e Komunës.

“Kriteret për ndarjen e granateve, si dhe kriteret tjera do të jenë të definuar me të gjitha partitë politike, të cilat janë në Kuvendin Komunal ashtu ka qenë edhe dakordimi në mbledhjen e fundit, andaj pritet që gjatë kësaj jave eventualisht mund të ndodhë edhe në fillim të javës së ardhshme, që të mblidhen t’i definojnë kriteret. Jo çdo biznes mund të aplikojë, mundet por do të përjashtohet në rast se ka marrë ndihmë ekonomike nga qeveria e Kosovës, në këtë aspekt do t’i favorizojmë ato biznese të vogla, ata të vetëpunësuar, të cilët i kanë bizneset e veta familjare, të cilat nuk kanë qenë përfitues të çfarëdo lloj grandi nga Qeveria e Kosovës”, deklaron ai.

Si masë parandaluese për përhapjen e virusit Covid-19, Qeveria e Kosovës kishte mbyllur një numër të madh të bizneseve, duke shkaktuar kështu humbje të mëdha në veprimtarinë e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.