Hi Tech

Kompania simotër e Google raporton fitime rekorde

Alphabet, kompania simotër e gjigantit Google ka raportuar për rritje të fitimeve në çerekun e parë të vitit, duke thënë se njerëzit kanë qëndruar më shumë në shtëpi si pasojë e pandemisë dhe kanë shfrytëzuar më shumë shërbime të saj.

Fitimet e kësaj kompanie janë rritur për 162 për qind, apo për 17.9 miliardë dollarë.

Ky lajm vjen në kohën kur ky gjigant teknologjik përballet me mbikëqyrje të shtuar për shkak të fuqisë që ka dhe situatës kur pandemia ka shtyrë njerëzit të përdorin internetin më shumë se kurrë.

Kjo kompani ka thënë se “aktiviteti online i konsumatorëve”, ka rezultuar me këto fitime.

“Përgjatë vitit të fundit, njerëzit kanë shfrytëzuar shërbimin e kërkimit në Google dhe disa shërbime tjera online për t’u informuar, lidhur dhe argëtuar”, ka thënë shefi ekzekutiv i Alphabet dhe Google, Sundar Pichai.

Analistët kanë pritur performancë të mirë, meqë ekonomitë në gjithë botën kanë vazhduar rihapjen, duke nxitur më shumë shpenzime në reklama online.