EKONOMI

Kompania që ende s’i ka kryer punimet “mbi Kurriz” dhe e ka paditur Komunën, merr tenderin për sheshin “Adem Jashari”

10 tenderë me vlerë totale mbi 5 milionë euro i ka fituar, e vetme ose si pjesë e ndonjë konsorciumi, kompania “Rexha” në 5 vjetët e fundit në kryeqytet.

Një prej projekteve më të mëdha është ai për platonë “mbi Kurriz” në lagjen Dardania, me vlerë mbi 970 mijë euro, raporton “038” në KTV.

Ky projekt i nisur më 15 qershor 2015, sipas kontratës, ishte paraparë të përfundonte për 180 ditë pune.

Por, as pas saktësisht 1048 ditësh, ai zyrtarisht ende nuk ka përfunduar.

Çuditërisht, zyrtarisht, sipas një përgjigjeje të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prishtinës, aty është punuar vetëm 210 ditë, ndërsa për vonesat janë fajësuar edhe banorët dhe bizneset.

“Sipas raportimit të menaxherëve, kohë pas kohe ka pasur pengesa edhe nga banorët dhe bizneset, të cilat kanë ndikuar në realizimin e ngadalshëm të projektit. Me gjithë vonesat, nga raporti i menaxherëve rrjedh se totali i ditëve të punës të shënuara në ditarin e punës është 210 ditë, pa u llogaritur ndërprerjet për shkak të lëshimeve në projekt, pengesat e qytetarëve dhe punët shtesë dhe nëse këto nuk llogariten, sipas tyre nuk është arritur plani dinamik i paraparë për 180 ditë dhe se duhet vazhduar më tutje”, ka thënë Zekë Bardhaj, udhëheqës i Departamentit të Prokurimit në Komunën e Prishtinës.

Madje, operatori në fjalë pavarësisht shkeljes së afatit kohor , pa përfunduar zyrtarisht projektin, sipas Zyrës së Prokurimit në kryeqytet, do ta vë Komunën e Prishtinës para gjykatës, duke kërkuar kompensim për punët shtesë, ende të paverifikuara.

Por, qeverisja komunale asnjëherë nuk ka bërë kërkesë për ndërmarrjen e masave ndaj operatorit në fjalë për zvarritjen e projektit të “platosë mbi Kurriz”.

Katër nga 10 projektet e marra përsipër nga ky operator, gjatë qeverisjes së Ahmetit, janë përcjellë me vonesa ose pengesa.

Megjithatë, kompania është gjobitur vetëm për njërin projekt, atë për ndërtimin e sallës së edukatës fizike në shkollën fillore “Shkëndija” në Hajvali – ku i ishte zbritur çmimi për shkak të ndryshimit të materialit.

Kompania “Rexha” ka ngritur edhe një padi tjetër ndaj Komunës së Prishtinës, pas ndërprerjes së punimeve të fazës së parë për rregullimin e shtratit të lumit “Prishtina”, më 2014, për shkak të kontesteve pronësore, të cilat janë zgjidhur 9 muaj më vonë, porse operatori nuk ka pranuar ta vazhdojë punën.

E njëjta kompani, si pjesë e një konsorciumi, është angazhuar edhe për ndërtimin e urave në pjesën perëndimore të Unazës Qendrore – projekt në vlerë gati 2 milionë euro, e që momentalisht është ndërprerë për shkak të problemeve pronësore.

Por, as problemet dhe dy padi ndaj komunës, nuk kanë ndikuar që e njëjta kompani të fitojë tenderë nga ky institucion.

Madje, “Rexha” si pjesë e një konsorciumi, së fundmi ka marrë përsipër ndërtimin e një platoje tjetër – atë të sheshit “Adem Jashari”

Këtë herë komunarët janë zotuar se nuk do të lejojnë përsëritje të asaj që ka ndodhur në Dardani.

Me gjithë detajet tjera, në Komunën e Prishtinës nuk kanë treguar se pse i njëjti operator, që ka dështuar të përfundojë projektin e platosë në Dardani për gati 3 vjet, e ka fituar tenderin për rregullimin e platosë në sheshin “Adem Jashari”.

Në kompaninë “Rexha” nuk u kanë dhënë asnjë përgjigje pyetjeve nga televizioni, as pas më shumë se katër javë pritjeje.