Kosova

Kompania “Kreativ” e përmendur në skandalin e “dy milionëve”: LDA Group pagoi borxhin për punën e kryer në vitin 2018

Pas transferimit ilegal të dy milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit në llogarinë e kompanisë private LDA Group SH.P.K më 9 tetor, një shumë prej mbi 1 milionë e 300 mijë eurove është procesuar në 17 xhirollogari të tjera.

Kompania e përmendur si e përfshirë në njërën nga këto transfere, “Kreativ”, ka reaguar ndaj lajmit të publikuar, duke theksuar se me kompaninë e cila po hetohet për këtë skandal gjatë vitit 2018 kanë pasur bashkëpunim, për të cilin bashkëpunim janë lëshuar dy fatura të rregullta, pagesa e së cilave është bërë rastësisht në kohën kur u bë edhe transaksioni i dy milionëve nga Thesari i Shtetit.

“Gjatë vitit 2018 punëtoret e kësaj shoqërie kanë realizuar punime ne objekte te ndryshme te kontraktuara në mesin e tyre edhe disa objekte për kompaninë “LDA Group” në rajonin e Prizrenit dhe Gjakovës të cilat kanë përfunduar në vitin 2019, të cilat kjo kompani i kishte kontraktuar me një projekt dy vjeçar nga MPMS dhe e cila tani është objekt i hetimit nga organet shtetërore. Për të gjitha këto punime të shoqërisë tonë janë lëshuar dy fatura të rregullta ( nr. 09/2020 dhe 10/2020 në vlerë prej gjithsejt 21,566 euro, e cila është paguar ne momentin kur debitori, kompania LDA Group ka pasur mundësi pagesë. Fakti se pagesa e kësaj faturë është bërë në momentin e realizimit të transaksionit bankar, që po hetohet nga organet hetimore është koincidence dhe nuk ka të bëjë fare me ndonjë punë fiktive siç është pretenduar në këtë shkrim”, thuhet ndër të tjera në reagimin e kompanisë.

“Ne jemi kompani private, që e kemi të angazhuar kompaninë ndër më të njohurat për auditim dhe mbikëqyrje të letrave financiare që i mbikëqyrë të gjitha aspektet financiare të “KREATIV”shpk, dhe se kushdo që na ka obligime të faturuara për punët e kryera nga ana jonë, ne nuk kemi mundësi me i fal askujt asnjë borxh, sepse është mundi jonë, është djersa jonë”, thuhet në reagim. “Shoqëria tregtare “Kreativ” sh.p.k. është regjistruar pranë organeve përkatëse si shoqëri me kapital privat dhe me veprimtari primare punët ndërtimore. Prandaj, kërkojmë nga portali insajderi.org që menjëherë të largoj këtë shkrim nga portali nën mbikeqyrjen e tyre si dhe të largoj të gjitha ndërlidhjet e këtij shkrimi me portalet tjera dhe të publikoj këtë reagim në tërësi. Zyra e avokatit të kompanisë, do të vazhdoj me procedura ankese pranë organeve përkatëse për mbikëqyrje të mediave të shkruara dhe do të filloj edhe proces gjyqësor pranë gjykatës kompetente për shpifje dhe kompensim dëmi”, thuhet në reagim.