Bota

Kompania amerikane thotë se vaksina kundër koronavirusit është gati për testet e para

Firma amerikane e bio-teknologjisë, “Moderna”, ia ka dërguar një vaksinë eksperimentale të koronavirusit hulumtuesve të qeverisë amerikane vetëm gjashtë javë pasi nisi të punojë në imunizim.

Testet fillestare të vaksinës potenciale mund të nisin në prill, por procesi i testimit dhe i aprovimeve mund të zgjasë së paku një vit, raporton CNN.

Moderna (MRNA) përmes një komunikate për media të hënën tha se doza e parë e vaksinës së koronavirusit të ri, e quajtur mRNA-1273, i është dërguar Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive (NIAID), transmeton Koha.net.

Aksionet e kompanisë, e cila gjendet afër Bostonit, u rritën për 15 për qind në New York të martën.

Moderna tha se testet e para të vaksinës eksperimentale do të përdoren në studimin e planifikuar të Fazës 1 në SHBA, e cila zakonisht nënkupton testimin e një vaksine në një numër të vogël njerëzish të shëndetshëm.

Drejtori i NIAID, Anthony Fauci, tha se testet klinike mund të nisin në fund të prillit, që është “hapi i parë” në prodhimin potencial të një vaksine të gatshme për përdorim.

Gazeta “The Wall Street Journal”, e cila raportoi e para për këtë zhvillim, tha se dy doza të vaksinës do të testohen në 25 vullnetarë për të parë nëse ajo prodhon reagim imunitar që mbron kundër virusit.

Edhe nëse testet klinike janë të suksesshme, nevojiten testime të mëtejme dhe aprovime rregullatorësh para se vaksina të zhvillohet gjerësisht.

Deri më tani, nga koronavirusi i ri janë prekur mbi 80 mijë njerëz në mbarë botën.

Megjithatë, edhe nëse punohet me “shpejtësi emergjente”, vaksina nuk mund të jetë në dispozicion për së paku një vit apo 18 muaj, tha Fauci të martën për CNN-in.

Moderna nuk është kompania e parë që shpreson të gjejë kurën për virusin.

Edhe gjigantët farmaceutikë “Johnson & Johnson (JNJ)” dhe “GlaxoSmithKline (GLAXF)” janë duke punuar në vaksina, sikurse edhe shkencëtarë qeveritarë përfshirë edhe disa në NIAID.