SPORT

Komiteti Olimpik reagon pas dhunës tronditëse në ndeshjen Ponte – Peja

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e ka dënuar dhunën në një ndeshje basketbolli në vend, mes Ponte Prizrenit dhe Pejës, duke iu bërë thirrje organeve të rendit të marrin masa.

Dhuna shpërtheu në fund të pjesës së parë të ndeshjes së pestë gjysmëfinale në play-off të Superligës mes Ponte Prizrenit dhe Pejës të martën në Prizren, kur lojtarët filluan një përleshje në palestër, raporton Gazeta Express.

Në përleshje u përfshinë edhe zyrtarë nga të dy palët dhe si pasojë ndeshja u anulua. Federata e Basketbollit e Kosovës pritet të vendosë për fatin e kësaj ndeshje sot gjatë ditës.

Ponte dhe Peja ishin 2:2 në serinë gjysmëfinale dhe ajo ndeshja do të vendoste se cila prej tyre do t’i bashkohej Yllit në finalen e madhe.

Peja po fitonte 49:48 kur ndeshja u ndërpre.

Dhuna në Prizren vjen vetëm pak javë pasi ajo e kishte tronditur edhe futbollin në vend, kur në disa ndeshja të kategorisë së dytë kishte pasur incidente të dhunshme në fushë.

I shqetësuar me këtë ngjarje tronditëse, KOK-u ka thënë ajo çfarë ka ndodhur në sportin kosovar këto javë është e papranueshme.

“Komiteti Olimpik i Kosovës ka ndjekur me shqetësim të madh dhunën në ndeshjen e basketbollit ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Pejës, e vlefshme për gjysmëfinalen e Play Off-it. KOK dënon ashpër dhunën e shfaqur, e cila më së paku i është dashur basketbollit dhe sportit në përgjithësi”, thuhet në një reagim të KOK-ut.

“Për KOK-un, ajo që ndodhi mbrëmë në Prizren dhe javë më parë në ndeshje të futbollit, është e papranueshme dhe e patolerueshme. KOK kërkon nga organet përgjegjëse të veprojnë konform rregulloreve të tyre, derisa inkurajon Këshillin Kombëtar për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, të marrë masat e duhura ndaj atyre që shkaktuan incidentin”, thuhet tutje në reagim. /Gazeta Express/