Hi Tech

Komisioni Evropian kritikon kompaninë Google

Komisioni Evropian ka kritikuar kompaninë Google, për atë që e quajti, mungesë të veprimit për të luftuar dezinformimin, përpara mbajtjes së zgjedhjeve në Parlamentin Evropian në muajin maj.

Në një letër dërguar kompanisë Google, që është nënshkruar nga katër komisionar evropianë, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se kualiteti i informatave të ofruar ndaj Komisionit Evropian “qartazi tregon se ka pasur nevojë urgjente për veprime të mëtejme”.

Në tetorin e viti të kaluar, Google, por edhe Twitter dhe Facebook, nënshkruan një Kodin e Veprimeve – një sërë rregullash të vendosura nga Brukseli për të luftuar dezinformimin online para zgjedhjeve të 23-26 majit, pas raportimeve të shumta për ndërhyrje para dhe gjatë zgjedhjeve nacionale të shteteve anëtare të BE-së dhe gjetkë.

Tri kompanitë i kanë ofruar Komisionit Evropian raportime mujore, lidhur me vendosjen e reklamave politike, me qëllim “të forcimit të integritetit të shërbimeve, përfshirë edhe mbylljen e llogarive të rreme”.

Në letrën e komisionarëve drejtuar shefit ekzekutiv të Google, Sundar Pichar, pas dy raportimeve, komisionarët thanë se “raportet e fundit të Google kanë ofruar pak informacione lidhur me rezultatet e arritura, përmes zbatimit të masave të rëndësishme”.

Në letër po ashtu thuhet se kompania nuk “ka ofruar informacione mbi veprime konkrete për të identifikuar aktivitetet e dëmshme dhe mbylljen e llogarive të rreme”. Po ashtu aty Google është kritikuar se nuk ka dhënë informacione të plota mbi aspektet e rëndësishme të zbatimit të masave.

Letra, e nënshkruar nga Komisionari për Siguri, Julian King, Komisionarja për Ekonomi Digjitale, Mariya Gabriel, Komisionieri për Digjitalizim, Andrus Aspin dhe Komisionarja për Drejtësi Vera Jourova, fton kompaninë Google për bisedime në Bruksel më 19 mars, “ku do të bisedohet se si mund të përmirësohet raportimi dhe për të ofruar informacione të reja mbi hapat konkrete që duhet të ndërmerren, me qëllim të mbështetjes së shteteve anëtare mbi monitorimin dhe forcimin e ligjeve zgjedhore”.