Bota

Komiku Zelenskiy fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale në Ukrainë

Komiku ukrainas, Volodomyr Zelenskiy e ka fituar në mënyrë bindëse raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, karshi presidentit aktual Petro Poroshenko, është bërë e ditur nga rezultatet e “exit-poll”, të publikuara menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, transmeton Reuters, përcjell “Koha Ditore”.

Sipas rezultateve, Zelenskiy kishte fituar 73 për qind të votës dhe Poroshenko vetëm 25 për qind.

Volodymyr Zelenskiy, që e luan presidentin fiktiv në një serial të popullarizuar televiziv, ka qenë vazhdimisht në epërsi nëpër anketa karshi presidentit aktual, Petro Poroshenkos, përkrahja për të cilin ka pësuar shkaku i përpjekjeve të ngathëta për luftimin e korrupsionit si dhe uljen e standardeve jetësore.

Në pyetje është udhëheqësia e një shteti që ndodhet në linjën e frontit midis Perëndimit dhe Rusisë, pas protestave në sheshin Maidan më 2014 dhe aneksimit të Krimesë. Të dy kandidatët ishin zotuar se shtetin do ta mbajnë në shtegun pro-perëndimor.

Investuesit po ashtu janë duke kërkuar garanca që fituesi t’i përshpejtojë reformat e domosdoshme për vazhdimin e ndihmave dhe tërheqjen e investimeve të shumëkërkuara të huaja.

Premtimi i Zelenskiyt për luftimin e korrupsionit ka gjetur përkrahje tek ukrainasit, që janë lodhur me politikat e zakonshme në shtetin me 42 milion banorë, që mbetet një nga shtetet më të varfra të Evropës gati tri dekada pas pavarësimit prej Bashkimit Sovjetik.

Ngritja e tij vjen në një kohë kryengritjeje politike në shumë pjesë të botës, prej Brexitit, zgjedhjes së presidentit të SHBA-së, Donald Trump e deri tek suksesi i Lëvizjes 5-Yje në Itali, që po ashtu ka pasur në krye një komik.

Leave a Reply

Your email address will not be published.