Kosova

Komentohet tërheqja e Jusuf Buxhovit nga deklaratat për UÇK-në dhe debati për vrasjet e pasluftës

Sonte në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini po debatohet për luftën e UÇK-së dhe pastërtinë e saj. Debati për luftën e UÇK-së në Kosovë është nisur pas disa deklaratave të akademikut Jusuf Buxhovi.

Kryeredaktori i Insajderit, Vehbi Kajtazi ka thënë se është e natyrshme që temat e luftës gjithmonë të ngjallin debat.

Ai ka thënë se ka argumente shkencore që nuk ka luftë të pastër dhe sipas tij e pastër nuk mund të jetë as lufta e Kosovës.

Gazetari thotë se debati i nxitur nga Buxhovi është i çuditshëm pasi ky i fundit të gjitha këto gjëra i ka thënë edhe në romanin e tij të shkruar vite më parë.

“Gabimi i Buxhovit është se deklaratat i ka bazuar në shkrimet e tij të romanit edhe pse janë ngjarje të vërteta por ai gati në një orë intervistë nuk ka nxjerrë asnjë dokument apo shkrim për t’i faktuar ato deklarata”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kajtazi thotë se kërcënimet kundër Buxhovit janë të papranueshme dhe sipas tij kjo është pjesë e asaj mendësie se nuk pranohet mendimi ndryshe qoftë edhe për UÇK-në.

“Pas asaj që ndodhi, tërheqjen e zotit Buxhovi nga deklaratat e tij se “unë nuk e kam thënë këtë apo atë”, nuk e vlerësoj për arsye se intelektualët duhet të kenë guxim. Në këtë rast zoti Buxhovi nuk i qëndroi deri në fund guximit intelektual”, tha ndër të tjera Vehbi Kajtazi.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se deklaratat e zyrtarëve institucional ndaj Jusuf Buxhovit janë shumë shqetësuese.

“Nuk bëhet fjalë për përgjithësime. Nuk bëhet fjalë për përgjithësimin e luftës së UÇK-së. Bëhet fjalë vetëm për individë që kanë prapavijë luftarake si pjesëtarë të UÇK-së…Buxhovi nuk ka thënë asgjë pos që ka identifikuar disa ngjarje që kanë ndodhur në Kosovë e ne jemi dëshmitarë”.

Mushkolaj thotë se është fatkeqësi që hetimi vrasjeve 20 vite pas luftës ende nuk ka dhënë rezultat.

“Mos të harrojmë se në Kosovë janë vrarë shumë dëshmitarë. Ne i dimë rastet e dëshmitarëve të vrarë që kanë pasur të dëshmojnë në raste të caktuara. Pra dikush po do t’u mbyllë sytë qytetarëve se këto që po thuhen “janë dokrra dhe nuk kanë ndodhur këto”. Ata njerëz nuk kanë bërë vetëvrasje”, tha ndër të tjera Imer Mushkolaj duke shtuar se “pa zbardhjen e vrasjeve të pasluftës kjo shoqëri nuk do të gjej qetësi”.

Analisti Astrit Gashi ka thënë se gjuha e linçimit që e bëjnë institucionet e Kosovës ndaj Jusuf Buxhovit duhet të dënohet.

“Krerët e luftës nuk kanë mbrojtje tjetër. Është e pritshme mbrojtja politike. Ata do të reagojnë politikisht ndaj personit që akuzon”.

Ai ka thënë se për fat të keq gjyqësia nuk ka zbuluar rastet e vrasjeve të pasluftës.

Gashi ka thënë se e pastër nuk mund të jetë as një ndeshje futbolli e sipas tij si mund të jetë lufta e UÇK-së.

“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe është e pastër por nuk besoj se ka një kategori të tillë që vlerësohet një luftë”, tha mes tjerat Astrit Gashi./Telegrafi