Kosova

Kolona të gjata në pikat kufitare me Serbinë, më së keqi në Merdare

Mërgimtarët që i kanë kryer pushimet dhe po kthehen në vendet e tyre ku jetojnë në Perëndim, po vazhdojnë të përballen me pritje të gjata në kufirin me Serbinë, gjegjësisht në atë të Merdarës.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, njofton se për të dalë nga Kosova në këtë pikë kufitare, qytetarët duhet të presin deri në 5 orë, pasi që kolona e automjeteve në këtë vendkalim kufitar ka arritur deri në 1.2 km.

Ndërkaq, pritja për të hyrë në Kosovë nga kjo pikë kufitare shkon deri në 1 orë e 30 minuta.

Pritje deri në dy orë për të dalë nga Kosova ka edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, kurse për të hyrë, pritjet janë vetëm 30 minuta.

Në kufirin Muçibabë, pritja është 20 deri 25 minuta për të hyrë në Kosovë dhe 40 minuta për të dalë. Në Mutivodë pritja është 1 orë e 30 minuta deri 2 orë për të dalë nga Kosova, kurse për të hyrë pritjet janë maksimumi 10 minutëshe.

Pikëkalimet tjera kufitare të Kosovës raportohet se nuk janë të ngarkuara, dhe pritjet për hyrje-dalje shkojnë në maksimumi 10 minuta.