Kosova

KMDLNJN, kundërshton fuqishëm që serbëve të Veriut t’iu paguhet rryma

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, serbët e Veriut të Kosovës si dhe të komunave me shumicë serbe brenda Kosovës kanë refuzuar të paguajnë për rrymën e shpenzuar, ujin si dhe për mbledhjen e mbeturinave.

KMDLNj pati reaguar disa herë për faktin se kishte dyshime që faturat që nuk shlyheshin nga serbët (sidomos për shpenzimet e rrymës) u faturoheshin konsumatorëve shqiptarë e që, më së paku që mund të thuhet është plaçkitje apo futja e duarve (KEDS-it) në xhepat e konsumatorëve, të cilët , përkundër shumë vështirësive i shlyejnë borxhet me rregull.

Dyshimet e KMDLNj-së njëkohësisht ishin edhe dyshimet e Institucionit të Avokatit të Popullit i cili pas një hulumtimi doli me një raport ku vërtetohet që konsumatorët e rregulltë dëmtohen duke e paguar rrymën për serbët e Veriut.

Pas kësaj kur edhe KEDS-i nuk e mohoi se faturat e konsumatorëve të rregullt pagues po dëmtohen ishte një qëndrim i Qeverisë të ndërpritet me këtë hajni legale sikur që edhe konsumatorët e dëmtuar të kompensohen për dëmet që u janë bërë përmes uljes së faturave.

KMDLNj pati kërkuar dhe kërkon që kompensimi i dëmeve të shkaktuara thuaja për 15 vjet pas përfundimit të luftës të bëhet në mënyrë të prekshme dhe të matshme e që nuk është bërë deri më sot.

Për këtë arsye KMDLNj, pati kërkuar që konsumatorët të mos i paguajnë faturat për aq kohë sa nuk do të kompensohen dikur që pati bërë ftesë publike që qytetarët të protestojnë kundër kësaj plaçkitjeje që ia bënë KEDS-i , me miratim në heshtje të institucioneve të Kosovës.

KMDLNj, kundërshton fuqishëm që serbëve të Veriut t’iu paguhet rryma (përjashtuar këtu rastet sociale) sepse po i diskriminon konsumatorët e tjerë shqiptarë dhe jo serbë aq më parë që kemi raste kur përmbaruesit privatë ua bllokojnë xhirollogaritë edhe pensionistëve shqiptarë që nuk kanë mundësi t’i shlyejnë borxhet e grumbulluara.