Kosova

KMDLNj kërkon mëshirë nga shteti për të burgosurit që kanë prognoza fatale shëndetësore

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Njeriut ka reaguar me anë të një komunikate në lidhje me vdekjen e të paraburgosurit 82 vjeçar sot në Klinikën e Neurologjisë.

KMDLNj njofton se R. B. i datëlindjes 25.09.1937 në Gjakovë, ka vdekur në Klinikën e Neurologjisë, në repartin e kujdesit intensiv të QKUK-së, si pasojë e komplikimeve shëndetësore.

Sipas KMLDNj-së, R. B ishte pranuar në burg më 25.06.2019 në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe ishte trajtuar tërë kohën në Stacionarin e burgut në Dubravë nën mbikëqyrje 24 orëshe shëndetësore.

“Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është udhëzuar në S.P në Pejë dhe nga aty në QKUK me datë 30.06.2019 në ora 23:00 ku edhe ka ndërruar jetë me datë 02.07.2019. Gjendja e rëndë shëndetësore me të cilën është pranuar në burg dhe mosha e shtyrë 82 vjeçare, përkundër përpjekjeve maksimale të personelit shëndetësor në Stacionarin e Burgut në Dubravë, Spitalit Rajonal në Pejë dhe QKUK në Prishtinë nuk ka mundur ta evitojë vdekjen e të paraburgosurit i cili ishte në procedurë të ekstradimit në ShBA”, thotë KMDLNj.

Ky Këshill kërkon që pezullimi i vuajtjes së dënimit të zbatohet në të gjitha rastet që vlerësohet nga komisioni kompetent mjekësor sikur që edhe thërret deputetët e Kuvendit të Kosovës të vizitojnë rastet e të burgosurve me sëmundje të pashëruara dhe të cilët, në mungesë të trajtimit human nga shteti, vdesin në burgje të Kosovës apo në Spitale rajonale ose në QKUK dhe në këtë mënyrë skajshmërisht e komprometojnë punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Shërbimit Shëndetësor të Burgjeve të cilët bëjnë përpjekje maksimale por se janë të përjashtuar nga vendimmarrje finale.

Këshilli thotë se aktualisht janë së paku 6 raste të të dënuarve që duhet të trajtohen me urgjencë, me një prognozë jo të mirë për jetën e tyre.

KMDLNj ndërkaq ka bërë thirrje që shteti të ketë mëshirë për rastet e tilla pasi që, në të kundërtën, thotë se “shteti do të identifikohet dhe do të bartë përgjegjësi për shkelje flagrante të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.