Kosova

KMDLNj kërkon masa shtesë për mbrojtje nga koronavirusi, për personat e privuar nga liria

Masat e ndërmarra nga institucionet vendore, kanë hyrë menjëherë në fuqi, pasi rreziku është perceptuar si i lartë, shkruan Kosova.info

Pasi  OBSH –ja e shpalli koronavirusin pandemi , Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme më 11 mars 2020 mori disa vendime për masat parandaluese kundër koronavirusit e që filluan së zbatuari menjëherë. KMDLNj vlerëson se deri në marrjen e masave parandaluese , në Kosovë ishte një konfusion dhe atmosferë frike për faktin se shumë lajme të paverifikuara u shpërndanë pa pasur nevojë dhe , në këtë mënyrë , qytetarët e Kosovës iu nënshtruan një frikësimi e që ndikoi edhe në përshpejtimin e marrjes së vendimit të Qeverisë së Kosovës për masa parandaluese.

Në këtë kontekst , KMDLNj e ngre një shqetësim real për të cilin institucionet e Kosovës duhet të tregohen të vëmendshme dhe të reagojnë në përputhje me rrezikun për shëndetin e një grupi të margjinalizuar të shoqërisë kosovare – për personat e privuar nga liria .

KMDLNj është i informuar se Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve që është nën përgjegjësi të Ministrisë së Shëndetësisë e ka bërë një plan veprimi dhe ka ndërmarrë masa për ballafaqim me rastet eventuale të të prekurve nga koronavirusi. Në të njëjtën kohë , Ministrja e Drejtësisë , znj. Albulena Haxhiu në një takim me drejtorët e qendrave të Paraburgimit dhe atyre Korrektuese i ka njoftuar për masat e Qeverisë së Kosovës kundër koronavirusit në përgjithësi dhe mbrojtja e personave të privuar nga liria , në veçanti. KMDLNj i përkrah këto veprime dhe përpjekje por , duke i ditur rrethanat dhe kushtet në qendrat e Ndalimit Policor , Qendrat e Paraburgimit dhe Qendrat Korrektuese , për të mbrojtur shëndetin e personave të privuar nga liria dhe stafit korrektues si dhe oficerëve , nevojiten masa shtesë, në përputhje me rrezikun potencial.

Ministri për Punë të Brendshme , z. Agim Veliu dhe Drejtori i Policisë së Kosovës , z. Rashit Qalaj duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet dhe të intervenojnë me urgjencë për përmirësimin e kushteve në Qendrat e Ndalimit Policor ( ndalimi 48 orësh ) që nuk ofrojnë kushte , as për gardianët dhe personelin civil që punon aty e as për personat e ndaluar. Në të shumtën e rasteve personat e ndaluar nuk kanë ujë e as nyje sanitare në vendin ku mbahen por se e kanë një pikë të përbashkët  që e shfratëzojnë bashkarisht e që është larg  të përmbushjes së standardeve minimale higjienike e lëre më të atyre të nivelit më të lartë siç e kërkon nevoja në rrethanat aktuale , për një higjienë më të madhe e këto qendra nuk i përmbushin ato kushte. Duhet të ketë kontrolla më të shtuara mjekësore si dhe të bëhet dezifenktimi i hapësirave ku mbahen të ndaluarit dhe ku punon stafi. Në rast të përkeqësimit të situatës , masa e ndalimit policor duhet të shqiptohet si masë e skajshme dhe duhet të zëvendësohet me një masë tjetër. Përfundimisht , qendrat e ndalimit policor nuk i plotësojnë kushtet higjieniko – sanitare për raste të emrgjencave sikur që është kjo me koronavirusin prandaj seriozisht mund të rrezikohet shëndeti i gardinaëve dhe stafit civil , kurse në masë më të madhe mund të rrezikohet shëndeti i personave të privuar nga liria .

Qeveria e Kosovës duhet të ndajë mjete shtesë për Shërbimin Korrektues të Kosovës në mënyrë që të përmirësojë kushtet higjienike në Qendrat e Paraburgimit dhe ato Korrektuese si dhe ta begatojë menynë ushqimore me artikuj të domosdoshëm për këtë situatë. Ndërpreja e vizitave familjare deri më 27 mars 2020 është hap pozitiv mirëpo Ministria e Drejtësisë duhet seriozisht të shqyrtojë mundësinë që ata të dënuar e që i gëzojnë të gjitha beneficionet , nuk paraqesin rrezik për siguri dhe se që vlerësohet se e kanë kaluar programin e risocializimit të lejohen të qëndrojnë në shtëpi deri me datën 27 mars 2020 . Nuk ka asnjë arsye që ata të mbahen në Qendra  Korrektuese sidoms ata që janë në Qendrën Korrektuese të Hapur sikur ajo e Smrekonicës . Këtu duhet të qëndrojnë vetëm ata të dënuar që janë në fazën e verifikimit sikur edhe stafi i domosdoshëm për funksionalitetin e kësaj qendreja.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës , z. Nehat Thaçi , pas një analize të përgjithshme duhet të propozojë numrin e të dënuarve që do të liroheshin përkohësisht sikur edhe stafit , në përputhje me nevojat e SHKK por edhe shkallës së rrezikshmërisë.  Pikat për furnizim me gjëra ushqimore në kuadër të SHKK-së duhet të kenë furnizim më të mirë sidoms me pemë dhe perime.

Ministri i Shëndetësisë , z. Arben Vitia dhe Drejtori i Shërbimit Spitalor të Burgjeve , z. Milazim Gjocaj duhet të përforcojnë stafin shëndetësorë për faktin se stafi shëndetësorë  ekzistues është i pamjaftueshëm për trajtimin e rasteve eventuale të prekura me koronavirus . Duhet të ketë përforcime me mjekë përkatës nga QKUK –ë dhe Spitalet Rajonale sikur që , sipas mundësive të bëhet një qendër për ekzaminim të të dyshuarve , pa pasur nevojë të dërgohen në Prishtinë.

SHSHB –ë duhet të tregojë interesim të veçantë për Qendrën Korrektuese – Edukative për Femra dhe të Mitur në Lipjan sikur që duhet të propozojë ndërprerje të dënimit apo lirim për raste me shëndet shumë të rrezikuar në mënyrë që t’i përballojnë prekjet eventuale me koronavirus . Në të kundërtën , këto institucione do të kenë përgjegjësinë për jetët dhe shëndetin e të privuarve nga liria. KMDLNj –ë vlerëson se përkundër vullnetit dhe gatishmërisë së Shërbimit Shëndetësorë të Burgjeve , në mungesë së stafit të specializuar për rastet që preken nga koronavirusi , pa përkrahjen shumë më të madhe të Qeverisës së Kosovës përmes Ministrisë së Shëndetësisë , menaxhimi i situatës së eskalimit potencial  të situatës do të jetë i pamundur dhe pasojat do të jenë lehtësisht të parashikueshme – rrezikimi serioz i shëndetit të personave të privuar nga liria dhe stafit .

Në situata të jashtëzakonshme ndërmerren edhe veprimet si dhe vendimet e jashtëzakonshme sikur që edhe e kanë bërë vendet e rajonit dhe ato të botës që janë prekur nga koronavirusi. Institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës , qoftë Presidenti i Kosovës apo Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë , me një vendim të jashtëzakonshëm mund të lirojnë një numër të të dënuarve që kanë plotësuar të gjitha kushtet për lirim të parakohshëm ( shfrytëzues të rregullt të vikendeve , respektim të Rendit Shtëpiak , që punojnë brenda apo jashtë SHKK –ës dhe që qartazi kanë dhënë prova se e kanë kaluar me sukses programin e risocializimit apo të dënuar dhe  të privuar nga liria me probleme të rënda shëndetësore dhe me diagnozë terciare e që sipas KMDLNj –ës janë , së paku 20% e të  privuarve nga liria ) , pa e rrezikuar fare sigurinë e vendit apo rritur shkallën e recidivizmit .

KMDLNj – ë shpreson se Institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës do të trajtojnë me seriozitet këtë rekomandim të Këshillt i cili , një kohë të gjatë ka lobuar dhe angazhohet që mbajtja në burg të zëvendësohet me masa alternative të dënimit. Ky lirim do të kursente shumë mjete të Buxhetit të Kosovës , do të ishte porosi e qartë për të dënuarit tjerë që të sillen mirë dhe , në masë të madhe do të lehtësonte punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës . Vetëm merrni shembullin e shteteve të rajonit dhe të botës se si kanë vepruar në situata të zakonshme dhe sidomos të jashtëzakonshme me personat e privuar nga liria.

Në Kosovë , që nga përfundimi i luftës ka pasur shprehje të pakënaqësive të personave të privuar nga liria , nga greva e pjesshme , greva e përgjithshme , greva e urisë e deri te rebelimi që ka përfunduar në mënyrë të dhunshme dhe humbje të paarsyeshme të jetëve të të dënuarve e që asnjëherë ata që kanë shkaktuar humbjen e këtyre jetëve nuk janë nxjerrë para organeve të drejtësisë .

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut informon familjarët e personave të privuar nga liria por edhe vet personat e privuar nga liria që i adresojnë shqetësimet e tyre përmes telefonit se deri në një vendim tjetër të Ministrisë së Drejtësisë dhe SHKK -ës do të ndërpresë vizitat monitoruese duke e liruar stafin e Këshillit që janë prindër , nga ardhja në Zyrat e KMDLNj –së dhe të cilët punët e domosdoshme do t’i kryejnë nga shtëpitë ku jetojnë apo banojnë. Të privuarit nga liria , familjarët e tyre apo avokatët , çdo shqetësim apo adresim të padrejtësive mund ta bëjnë përmes telefonit dhe në rast kur kanë mundësi edhe duke dhënë deklarata në KMDLNj ku do të ketë gjithmonë persona kujdestarë!/Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.