Kosova

KMDLNJ, bën thirrje për respektimin e te drejtave të punës dhe të njeriut

Ndonëse numri i të infektuarve nga COVID- 19, pas largimit të masave shtrënguese po shënon rritje, KMDLNj vlerëson se qeveria e Kosovës ka bërë mirë për këto masa aq më parë që thuaja të gjitha vendet kanë filluar t’i kthehen normalitetit. Shumica e bizneseve janë hapur nën kushte të reja në përputhje me situatën e krijuar.

Deri më tani ka ndalesë vetëm për gastronomet dhe artistët. Është ndaluar organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare në ndërkohë që lejohen manifestimet politike dhe partiake ku nuk respektohen aspak kriteret e përcaktuara nga institucionet e Kosovës. KMDLNj konsideron se Policia e Kosovës nuk është dashur të lejojë aktivitetin politik të LVV -së ku dhjetëra mijëra pjesëmarrës kanë shkelur rregullat sikur që është ruajtja e distancës sociale.

Më këtë kontekst, KMDLNj kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, që në kushte të caktuara dhe me marrëveshje të lejojë punën e gastronomeve sikur edhe të lejojë organizimin e dasmave dhe ngjarjeve sportive me praranin e një numri të tifozëve , duke ruajtur distancën sociale dhe masat tjera mbrojtëse. Qeveria e Kosovës nuk ka tjetër alternativë: ose duhet të lejojë këto aktivitete ose duhet t’i kompensojë të gjitha humbjet që i kanë pasur dhe që do t’i kenë në të ardhmen.

E drejta për punë është e drejtë elementare e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet. Lejimi i aktiviteteve politike kundër të gjitha rregullave të sigurisë së shëndetit dhe pengimi i aktiviteteve të gastronomeve , artistëve e vë në pozitë qeverinë si abuzuese e të drejtave të njeriut për shkak të zbatimit të standardeve të dyfishta.

Në këtë rrafsh, KMDLNj përkrah protestat e gastronomeve dhe artistëve, si kërkesa të drejta për punë e cila është e drejtë elementare e njeriut. Rregullat dhe ligjet duhet të vlejnë për të gjithë e që në rastin konkret nuk është kështu. Qeveria e Kosovës duhet të tregohet shumë e vëmendshme në trajtimin e këtyre rasteve aq më parë që nuk ka mundësi të kompensojë këto biznese për dëmet e mëdha që u janë shkaktuar. Prandaj duhet të lejojë punën e tyre duke respektuar të gjitha masat e sigurisë.

Ndërkaq është detyrim i shtetit të krijojë mekanizma kontrolli në mënyrë që të detyrojë që të paguhet tatimi real në bazë të realizimit të fitimit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.