Kosova

Klinë/ Sulmohet një mjek, proteston stafi

Një mjek i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë, është sulmuar të hënën mbrëma nga familjarët e një pacienti i cili po trajtohej në emergjencë. Për këtë, stafi i QKMF’së të martën ka protestuar

Mjeku V.R. u sulmua derisa ishte në vendin e tij të punës, mbrëmjen e së hënës në QKMF’në e Klinës.

Stafi i QKMF-së kanë protestuar për një orë kundër sulmeve dhe veprimeve denigruese ndaj personelit shëndetësorë në këtë institucion.

Ata iu kanë bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë, Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Odës së Mjekëve dhe sindikatave që të merren seriozisht me të gjitha rastet e dhunës ndaj mantelbardhëve.

Në protestë ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Rrezart Halili, po ashtu, OMK’ja ka dalë me një reagim publik ku ka dënuar ashpër sulmin ndaj mjekut në Klinë.

“Oda e Mjekëve të Kosovës me shqetësim, indinjatë dhe zhgënjim ka pranuar lajmin e sulmit ndaj kolegut nga Klina, i cili u sulmua mbrëmë në hapësirat e vendit të punës duke ofruar shërbimin shëndetësor. Sulmi ndaj mjekëve është bërë pjesë e protokollit të sjelljes së shërbimmarrësve nëpër institucione shëndetësore, ndërkaq mjeku është bërë viktimë e përhershme e këtyre sulmeve serike të cilat nuk kanë të ndaluar”, thuhet në reagimin e OMK-së.