KV “Drita” e fiton kupën e Kosovës 2024

KV “Drita” është kurorëzuar me titullin e shtatë në histori të klubit, duke arritur fitore senzacionale me përmbysje në serinë e finaleve.

Ndeshja e pestë, dhe e fundit e kësaj serie, solli një tjetër pasqyrë fenomenale të volejbollit, në palestrën e stërmbushur me mbi 3500 spektatorë.

Me një koreografi të veçantë dhe me praninë e tifozëve “Intelektualët” dhe “Shqiponjat e zeza”, spektakli ishte i garantuar.

Në hapje të ceremonisë, presidenti i FVK-së Bahri Gjinovci, u ndau fanelat e Kombëtares së Kosovës në volejboll, kryetarit të Gjilanit Alban Hyseni dhe drejtorit për sport në Skenderaj, Alban Berisha.

Ndeshja nisi me rivalitet të jashtëzakonshëm dhe me ndryshime të shpeshta në epërsi, duke u konkretizuar me fitoren e Dritës 25:22.

Në setin e dytë, Skenderaj e nisi më mirë.

Skuadra nga Drenica madje pati epërsi te vazhdueshme në rezultat, e cila u humb befasisht në fazën e fundit të setit, falë një serie prej 6:0 të Dritës.

Gjilanaset triumfojnë 25:22 edhe në setin e dytë.

Pas epërsisë prej 2:0 të Dritës, Skenderaj s’kishte çka të humbte dhe shkoi me të gjitha forcat, por presioni psikologjik nga disavantazhi e bëri të veten, duke ngecur në gjysmën e dytë të setit të tretë.

Drita e shfrytëzoi, duke avansuar deri në 8 pikë, e tendenca për rikthim e Skenderajt, ishte vonë, duke u kufizuar në 21 pikë.

Drita triumfoi në fund me pikën e fundit të këtij edicioni, që mbajti autorësinë e Venera Kadriut.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, medaljet për vendin e dytë u ndanë nga anëtari i bordit Abedin Mehani, drejtori i sportit në Skenderaj Alban Berisha dhe nënkryetarja e Gjilanit Leonora Morina Bunjaku.

Medaljet e arta u ndanë nga kryetari i Gjilanit Alban Hysenj, nënkryetarja e FVK-së Mimoza Shkodra Bislimi dhe sekretari i përgjithshëm i FVK-së Valon Nikqi.

Kapitenes Adelajda Prenga, trofeun ia dorëzoi presidenti i FVK-së Bahri Gjinovci.

Ndeshja u transmetua drejtpërdrejt në RTK1 dhe ishte transmetimi i 32-të i këtij edicioni, në partneritet me televizionin publik. /Kosova.info/

Go to TOP