Kombëtare

KKSB shqyrtoi gjendjen e sigurisë dhe situatën me menaxhimin e pandemisë Covid-19

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi Nënkryetari Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar gjendjen e sigurisë në komunë, situatën aktuale dhe menaxhimin e pandemisë COVID-19, sigurinë në shkolla dhe gjendjen e sigurisë në komunikacion.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në komunë, komandanti i Stacionit Policor, Bekim Zogiani, tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë. Ai raportoi për gjitha rastet veprave të ndryshme të raportuara në polici gjatë muajit të fundit. Ndërsa sa i përket ndëshkimit të qytetarëve për mos respektim të masave anti-Covid, komandanti Zogiani tha se që nga hyrja në fuqi e masave, në komunën e Podujevës janë shqiptuar gjithsej 1, 168 gjoba ndaj qytetarëve për mos zbatim të këtyre masave. 

Edhe përfaqësuesi i KFOR-it gjendjen e përgjithshme të sigurisë në komunën e Podujevës e ka vlerësuar të qetë dhe stabile dhe ka vlerësuar aktivitetet e policisë dhe institucioneve të tjera në respektimin e masave ndaj Covid-19.

Duke folur lidhur me gjendjen aktuale me pandeminë Covid-19 në Komunën e Podujevës, nënkryetari Rudari tha se shqetësuese është rritja e rasteve me këtë virus ditëve të fundit.

Nënkryetari Rudari tha se që nga shfaqja e pandemisë, deri më tani janë regjistruar 669 raste me Covid-19, prej tyre 593 persona janë shëruar, kurse 54 raste janë aktive dhe fatkeqësisht 22 persona të infektuar me këtë virus kanë ndërruar jetë.

Drejtori i Shëndetësisë, Zaim Thaçi, tha se deri tani në QKMF në Podujevë janë marrë 2,700  mostra testesh për Covid-19. Ndërsa, tha se po hyjmë në një periudhë të rritjes së rasteve, duke përmendur faktin se në raportin e fundit të IKSHPK, ditën e enjte, del se nga 11 mostra të marra në Komunën e Podujevës 7 raste kanë rezultuar pozitivë. Sipas drejtorit Thaçi, nga 54 raste aktive vetëm një person i infektuar është i hospitalizuar.

Lidhur me këtë, nënkryetari Rudari, tha se tashmë po përballemi me fazën e  dytë të pandemisë dhe apeloi te qytetarët të respektojnë masat e rekomanduara në MSH dhe IKSHPK. Nënkryetari, gjithashtu kërkoi nga institucionet përgjegjëse, policia, inspektorët,  punëtorët shëndetësorë dhe arsimorë që të angazhohen në zbatimin e masave për tejkalimin e kësaj situate. 

Drejtori i Arsimit, Agim Blakçori, tha se procesi mësimor në kushte pandemie është duke u zhvilluar sipas tre skenarëve – modaliteteve të rekomanduara nga Ministria e Arsimit. Ai tha se deri më tani gjithsej katër mësimdhënës dhe tre nxënës kanë rezultuar pozitivë me Covid-19. Sipas drejtorit Blakçori, gjendja e sigurisë në shkolla është e mirë.

Lidhur me sigurinë në komunikacion, komandanti i Stacionit Policor, Bekim Zogiani, tha se nuk raportohet për rritje të rasteve të aksidenteve në komunikacion.

Ndërsa, drejtori i Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, foli për investimet në infrastrukturë, për krijimin e sigurisë më të madhe për qytetarët. Ai përmendi investimet e bëra në infrastrukturën rrugore, ndërtimin e urave, trotuareve dhe zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik. /Kosova.info/