Kosova

Kjo është këshilla e Surroit për LV-në dhe LDK-në që të dalin nga ngërçi i negociatave (Foto)

Veton Surroi, publicist e shkrimtar, ka dhënë një sugjerim për dy subjektet të cilat, tash e sa kohë, janë duke negociuar për formimin e koalicionit qeverisës – shkruan Kosova.info

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në facebook, ai i ka këshilluar krerët e Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), që negociatat t’i rifillojnë duke e shikuar çështjen nga një kënd tjetër.

Ja statusi i plotë i Surroit:

LVV dhe LDK mund t’u rikthehen negociatave për koalicion prej një këndi tjetër, atij të zgjedhjes së presidentit/es. Kjo çështje qe një prej pengesave të mëdha dhe konstante për arritjen e marrëveshjes, por nuk ka nevojë të jetë e tillë. Në mënyrë që të zgjidhet , do marrë në konsideratë këto pika:
• Koalicioni LVV-LDK duhet ta ketë të formalizuar zgjidhjen për çështjen e presidentit/es , në mënyrë që kjo çështje të mos shtrohet si pengesë e funksionimit të koalicionit kur të vijë koha e zgjedhjes së presidentit/es
• Sipas Kushtetutës dhe vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, presidenti/ja nuk i “përket” asnjë partie politike, andaj zgjedhja e presidentit/es duhet të jetë pjesë e së paku dy rrathëve të ndërtimit të koncensusit: një brenda koalicionit qeverisës dhe një tjetri me opozitën.
• Pjesë e marrëveshjes së koalicionit mes LVV-LDK nuk duhet të jetë as emri i kandidatit/es e as përkatësia e tij/saj partiake , por procedura me të cilën partitë nënshkruese të koalicionit do ta propozojnë kandidatin/en që mund të ketë pëlqimin edhe të partive që nuk janë pjesë të koalicionit në pushtet.
Nëse LVV dhe LDK arrijnë një pajtim për procedurën e ndërtimit të konsensusit për presidentin/en, atëbotë do të forcojnë idenë e balansit të pushtetit nëpërmjet bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë.
Njëherë e zgjidhur kjo çështje, mund t’u rikthejë çështjeve të mbetura, të pakta dhe që të gjitha të zgjidhshme.

Shfaq më shumë
//dopansearor.com/4/3473483