Kosova

Kjo është gjendja shëndetësore e Kurtit pas infektimit me koronavirus

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është infektuar me koronavirus. Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë ai. Zyrtarë nga VV-ja kanë treguar për gjendjen shëndetësore të Kurtit.

Zëdhënësi i VV-së, Përparim Kryeziu, ka thënë për Express se gjendja shëndetësore e Kurtit është e mirë.

“Në përjashtim të simptomave për të cilat ka njoftuar vetë z. Kurti, gjendja shëndetësore e tij është shumë e mirë”, ka deklaruar Kryeziu.

Kurti ka njoftuar sot se simptomat e COVID-19 i janë paraqitur para dy netësh, derisa ka theksuar se të martën është testuar dhe ka rezultuar pozitiv.

“Parmbrëmë kisha disa simptoma: kokëdhembje të lehtë, pak koll dhe dhembje e skuqje të syve. Dje jam testuar për COVID-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Në dy javët në vijim do të qëndroj në vetizolim”, ka shkruar Kurti në Facebook.

I infektuar me COVID, kjo është gjendja shëndetësore e Kurtit

Në fillim të vitit 2019, Kurti ishte shtrirë në Intensivë për shkak të komplikimeve që i ishin shfaqur si pasojë e një ftohjeje.  

Drejtori i Infektivës, Hamdi Ramadani, kishte treguar se fillimisht ekzistonin dyshimet se kreu i VV-së ishte prekur nga gripi sezonal.

“Ai është pranuar në Klinikën Infektive të martën rreth orës 10:00 të  paradites me një gjendje klinike të rëndë. Ka pasur ftohje që ne e quajmë mushkërore. Kemi pas edhe dyshime se bëhet fjalë për sëmundjen epidemike të gripit dhe influencës”, kishte thënë Ramadani për Express.

“Për fat të mirë që nga mesdita e deri më sot gjendja e tij është përmirësuar. Më nuk ka nevojë për frymëmarrje artificiale. Sëmundja është në regresion. Analiza është në përmirësim. Do t’ia bëjmë edhe disa incizime”, kishte deklaruar ai.