Kosova

Kinolli: S’e votojmë rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Albert Kinolli, deputet nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), pjesë e Grupit 6 Plus në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Qeverisë Haradinaj duhet dhënë rast.

“Qeveria Haradinaj është qeveri e guximshme që mori disa vendime që asnjë qeveri deri më tani s’i ka marrë. Shumica kanë menduar se ne s’do të mundemi të formojmë ushtrinë pa votat e pakicave. Ka pasur reagime të shumta për taksën. Edhe vendimi i Shipitullës, që erdhi në fillim të mandatit të Qeverisë Haradinaj… mendoj se duhet t’i jepet rasti kësaj qeverie”, ka deklaruar ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai tha se nuk do të japin votat e tyre për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

“Kam pasur kontakt nga disa kolegë të mi nga opozita, dhe ju kam thënë, ‘urdhëroni, rrëzojeni qeverinë nëse i keni votat’, por jo me votat tona. Por, edhe nëse bie qeveria, ne prapë jemi në qeveri”, ka deklaruar Kinolli, duke potencuar se asnjë subjekt i madh nuk është gati të hyjë në zgjedhje parlamentare derisa t’i kryejnë zgjedhjet e brendshme partiake.

Kinolli: Sulmi ndaj gruas rome është njollosje për institucionet e Kosovës

Albert Kinolli, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) ka shprehur indinjatën për sulmin që iu bë gruas rome, njëherë në Lipjan e pastaj në Ferizaj.

Ai ka thënë se ky gjest është i pafalshëm dhe është njollosje e institucioneve të Kosovës.

Ai në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se fajin kryesor e kanë disa portale të cilat i kanë dezinformuar dhe nxitur qytetarët.

“Unë shpreh indinjatën time të thellë sepse ky gjest është i pafalshëm dhe një njollosje e institucioneve të Kosovës. Të nxitur me këtë lajm kinse kjo grua rome kidnapon fëmijë, një grup i të rinjve në Lipjan e kanë sulmuar brutalisht. Unë me të marrë këtë informacion kam reaguar duke thirrur në telefon drejtorin e Policisë, i cili pastaj më njoftoi që ajo është dërguar në një Qendër Sociale në Lipjan, ku dy-tri orë më vonë personi është larguar me vetë dëshirë”, thotë ai.

Ai thotë se strehimorja në Lipjan nuk do të duhej ta lejonte të dilte, duke e ditur se ajo ishte e pambrojtur.

“Unë mendoj që më mirë kishte qenë të shkelet ligji dhe të mos lejohet të dalë, se sa që është lejuar të largohet e pastaj të sulmohet. Ky duhet të jetë mësim për institucionet që mos të lejohen rastet e tilla”, është shprehur ai.

Ai thotë se me të marrë lajmin, ka shkuar në stacionin policor në Ferizaj për ta takuar viktimën, ndërkaq është njoftuar se të hënën do të mblidhen institucionet relevante për të gjetur një zgjidhje.

“Zonja deri ditën e hënë do të jetë e mbrojtur nga Policia, e pastaj të hënën do të mblidhen të gjitha institucionet përkatëse për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të. Unë kam komunikuar me zonjën por ajo ishte e traumatizuar, e trembur dhe e frikësuar. Ajo mu përgjigj në gjuhën angleze. Ajo tha se ka nevojë të jetë e lirë, se dëshiron të lëvizë dhe nuk mund të qëndrojë aty. Gjendja e saj ishte e mirë edhe pse ka disa shenja nga dhuna që ka përjetuar”, tha ai.

Kinolli ndër të tjera ka thënë se i mituri i cili e kishte sulmuar viktimën në Lipjan nuk do të duhej të lirohej menjëherë, pasi që sipas tij, kjo i ka hapur rrugë edhe sulmeve të tjera.

“Personi që e ka kryer këtë akt është kapur nga Policia dhe është i mitur, edhe rasti i parë ka qenë i tillë i mitur. Unë nuk di si ta shpjegojë kur një njeri qoftë edhe i mitur kapet në flagrancë duke e sulmuar dhe menjëherë lirohet, kjo hapë rrugë edhe për raste të tjera”, thotë ai.

Ai thotë se një rast i tillë duhet të dënohet nga shoqëria dhe institucionet të japin fjalën e tyre ndërkaq shton se Ministria për Komunitete dhe Kthim merret vetëm me serbët dhe jo komunitetet tjera.

Kinolli ndër të tjera ka shtuar se një gjest i tillë nuk ka ngjallur frikë tek komuniteti rom dhe se ata ndihen të sigurt në Kosovë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.