Bota

Kina u thotë bankave që të mos i përkrahin kriptovalutat, i bie vlera Bitcoin-it

Kina e ka zgjeruar shtypjen e kriptovalutave, duke u thënë bankave dhe platformave për pagesa që ta ndërpresin përkrahjen për transaksionet me valuta digjitale.

Kjo masë erdhi pas një urdhri të së premtes për ta ndërprerë prodhimin e kriptovalutës Bitcoin në provincën Sichuan, shkruan BBC.

Çmimi i kriptovalutës më të vlefshme në botë pësoi rënie prej më shumë se 10 për qind të hënën, por u stabilizua në tregun aziatik përsëri të martën.

Vlera e kësaj valute ka rënë për rreth 50 për qind që nga shënimi i rekordit të çmimit më të lartë prej mbi 63.000 dollarësh për njësi në muajin prill.

Të hënnë, Banka Popullore kinës tha se së fundi i ka thirrur në raportim disa banka të rëndësishme e kompani të pagesave për t’u bërë thirrje që të marrin masa më të rrepta rreth tregtimit të kriptovalutave.

Bankat u udhëzuan që të mos ofrojnë produkte apo shërbime që lidhen me transaksionin e kriptovalutave. Huadhënësja e tretë më e madhe në Kinë, Banka Bujqësore e Kinës, tha se është duke i ndjekur udhëzimet e Bankës Popullore të Kinës dhe se do të kryejë vëzhgime të duhura mbi klientët për t’i shmangur aktivitetet ilegale që përfshijnë prodhim dhe transaksione të kriptovalutave.

Vitin e kaluar, në Kinë u prodhua rreth 65 për qind e sasisë botërore të kriptovalutës Bitcoin. Muajin e kaluar, Këshilli Shtetëror tha se do t’i godasë tregtinë dhe prodhimin e kriptovalutave si pjesë e fushatës për kontrollimin e rreziqeve financiare.