Rajoni

Kina e rrit ndikimin në Hungari, do të hapë universitet

Një projekt kundërthënës për universitet kinez i ka ringjallur shqetësimet për rritjen e ndikimit të Pekinit në Hungari dhe i ka vënë përsëri në pah lidhjet e ngushta të Kryeministrit Viktor Orban me Kinën.

Hungaria nënshkroi një marrëveshje strategjike me Universitetin e Fudanit më 27 prill, sipas së cilës në vitin 2024 në Budapest do të hapet një kampus i këtij universiteti. Marrëveshja do ta bënte atë universitetin e parë kinez në Bashkimin Evropian dhe selinë e parë të huaj për institucionin prestigjioz me bazë në Shangai.

Qeveria hungareze tha se hapja e këtij universiteti do t’i rrisë standardet e shkollimit të lartë në Hungari. Megjithatë, atje ka shqetësime për mungesën e transparencës rreth projektit dhe për faktin se Hungaria po planifikon që të marrë një hua të madhe nga Kina për ta ndërtuar kampusin.

“Derisa qeveria të ofrojë publikim të plotë të të gjitha hollësive të projektit, ne s’kemi asgjë për të negociuar, që do të thotë se nuk do ta japim pëlqimin për ndërtimin e universitetit kinez”, tha kryetari i Budapestit, Gergely Karacsony, për Radion “Evropa e Lirë”.

Ai është një ndër kritikuesit më të zëshëm të këtij projekti, duke thënë se kampusi i planifikuar do të paraqesë një barrë jo të duhur ndaj taksapaguesve dhe se qeveria po refuzon që t’i publikojë të gjitha vendimet dhe kontratat.

Sipas dokumenteve të siguruara nga faqja “Direkt36”, kostoja e ndërtimit për këtë kampus është 1.8 miliard dollarë, që është shifër më e lartë sesa tërë shuma që qeveria hungareze shpenzoi për arsimin e lartë më 2019.