Kosova

Kiçmari: Shqipëria e Kosova s’duhet t’i garantojnë Serbisë dalje në Adriatik

Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizim ekonomik në prani të presidentit Trump në Uashington më 4 shtator.

Të shumta ishin reagimet nga opinioni publik shqiptar, teksa disa e shohin si diçka historike, e disa të tjerë e shohin Serbinë si më të avantazhuar.

Për diplomatin Sabri Kiçmari, Shqipëria dhe Kosova nuk duhet t’i garantojë Serbisë dalje në detin Adriatik, duke përdorur si arsye liqenin e Ujmanit.

Sabri Kiçmari: ”Mendoj që Shqipëria dhe Kosova në raport me Serbinë, duhet t’i koordinojnë veprimet e tyre, dhe qasja e Serbisë në Adriatik nuk duhet t’i garantohet në asnjë rrethanë. Serbia në radhë të parë duhet të reflektojë për mënyrën se si ajo është sjellë me qytetarët e Kosovës gjatë luftës. Duhet të reflektojë për sjelljen e saj me Kosovën pas shpalljes së pavarësisë. Pra, një logjikë totalitare, me elementë mesjetare, dhe në koalicion me Rusinë e Bjellorusinë, që nuk i bën mirë Europës. Shqipëria dhe Kosova nuk duhet t’i garantojnë dalje në Adritatik Serbisë.”

Në një lidhje përmes Skype për ‘RTV ORA’, Kiçmari tha se janë nënshkruar dy dokumente, veçmas nga Hoti dhe Vuçiq, me titull normalizim ekonomik.

Për të nuk ishte një marrëveshje, por një dakordim.

Sabri Kiçmari: ”Janë dy letra që presidenti Trump i ka nënshkruar, drejtuar njëra kryeminsitrit Hoti, dhe tjetra presidentit serb Vuçiq. Më pas, janë dy dokumente me titullin normalizimi ekonomik, të cilët janë nënshkruar veçmas nga Hoti dhe Vuçiq. Pra, nuk është fjala për një marrëveshje bilaterale e ndërkombëtare, por një dakordim e cila nuk është detyruese për asnjërën palë, nuk dërgohen për ratifikim në parlamente. Janë dakordime si pasojë e faktit që të tri palët nuk kanë mundur të dakordohen për një dokument të përbashkët. Nuk është fjala për një marrëveshje historike. Një marrëveshje historike do ishte nëse do të kishte një njohje të ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë.”

Sipas Kiçmarit, përmes këtij nënshkrimi, Serbia plason mallrat e saj në rajon.

Sabri Kiçmari: ”Nëse shohim formulimet e dy dokumenteve të ndara që janë nënshkruar nga Hoti dhe Vuçiq, formulimi në këto dokumente avancon Serbinë, sepse do ketë hapësirë për qarkullimin e mallrave në rajon, si pjesë e minishengenit. Kosova do ta ketë të pamundur të pengojë depërtimin e mallrave serbe. Serbia ka fituar një premtim të Kosovës që të mos aplikojë në organizatat ndërkombëtare. Ka një formulim për depërtimin e mallrave serbe deri në Adriatik pa u pyetur fare Shqipëria.”

Vënia në diskutim për liqenin e Ujmanit, për diplomatin, është një veprim i gabuar.

Sabri Kiçmari: ”Fakti që Qeveria e Kosovës e ka vënë si diskutim një mundësi të tillë për Ujmanin, mendoj se është një veprim i ngutshëm, i gabuar dhe i panevojshëm. Liqeni i Ujmanit është një resurs jetik për ekonominë e Kosovës, një resurs i domosdoshëm dhe jetik për qytetarët e Kosovës. Është territor që nuk negociohet. Nuk do duhej bërë një gjë e tillë.”

Kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq u takuan dje (7 shtator) në Bruksel. I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka thënë se mes përfaqësuesve të këtyre dy shteteve në Bruksel është arritur përparim i plotë në diskutimet rreth bashkëpunimit ekonomik dhe çështjes së personave të pagjetur dhe të zhvendosur.