Kosova

KGJK-ja miraton kriteret për shpërndarjen e lëndëve nga gjykatat e Kosovës përmes SMIL-it

 Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 229-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç ‘rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Këshilli, miratoi Rregulloren për plotësim – ndryshimin e  Rregullores për procedurat e zgjedhjes, emërimit, vlerësimit, pezullimit dhe shkarkimit të kryetarëve të gjykatave si dhe gjyqtarëve mbikëqyrës.

Me qëllim të transparencës dhe duke e eliminuar ndërhyrjen e faktorit njeri në shpërndarjen e lëndëve, Këshilli miratoi kriteret për shpërndarjen e lëndëve nga gjykatat e Kosovës përmes Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve, TIK/SMIL. Duke e konsideruar si proces shumë të rëndësishëm për sistemin gjyqësor, kriteret dhe mënyrën e zbatimit të tyre para anëtarëve të Këshillit i prezantoi Menaxheri i Projektit,  Fatmir Rexhepi, që  sipas tij, në hartimin e këtyre kritereve ka marrë pjesë një numër i madh i ekspertëve.

Anëtarët e Këshillit miratuan orarin e takimeve të KGjK-së për vitin 2020 si dhe njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e një gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prizren.

Rrjedhimisht gjatë takimit është miratuar edhe kërkesa e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë për vazhdimin e pozitës së nënkryetarit të kësaj Gjykate, gjyqtarit Arben Hoti, si dhe kërkesa e gjyqtarit Beqir Kalludra, për angazhimin e tij si trajnues në Institutin  “Trajnime Juridike Profesionale”.

KGjK caktoi datat për zgjedhjen e anëtarëve të KGjK-së në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatat Themelore të cilat do të jenë publike për mediat dhe shoqërinë civile.

Në vijim të takimit, Këshilli  ka  dhënë pëlqimin për grupin e përzgjedhur të gjyqtarëve për të ndjekur programin e mentorimit në kuadër të Projektit të Mbretërisë së Bashkuar “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, me qëllim të përmirësimit të njohurive dhe aftësive të mentorimit, gjyqtarët do të ndjekin katër module në Londër, ndërsa shpenzimet do të mbulohen nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Me qëllim që të ofroj orientim të përgjithshëm në gjykata si dhe identifikim më të lehtë të lëndëve të përshtatshme për tu referuar në procedurën e ndërmjetësimit, Këshilli miratoi, Udhëzues për lëndët e gjykatave të përshtatshme për Ndërmjetësim.

Ndër të tjera, u miratua edhe përmbajtja e raportit vjetor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2019, i cili jap detaje rreth veprimtarisë së Këshillit, Sekretariatit dhe gjykatave.

Në fund të takimit, si pikë e mbyllur e rendit të ditës janë themeluar panele hetimore për tri raste disiplinore.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.