KFOR: Xhenierët e RC-W kryejnë punime në brigjet e lumit afër Istogut

Komanda Rajonale Perëndim e KFOR-it kryen punime për ngritjen e argjinaturave dhe pastrimin e shtratit të lumit Drini i Bardhё, afër Istogut.

Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se dje në Komunën e Istogut është inauguruar projekti i Bashkëpunimit Civil dhe Ushtarak (CIMIC), në të cilin ushtarët e togës së xhenierëve të Regjimentit të 21-të inxhinierik- luftarak italian, pjesë e Komandës Rajonale Perëndimore (RC-W) të KFOR-it, kanë kryer punë mirëmbajtjeje në argjinaturat dhe ndërtimin e brigjeve të lumit Drini i Bardhё, në afërsi të fshatit Vrellë, që i përket Komunës së Istogut.

“Punimet, e realizuara falë koordinimit sinergjik ndërmjet Ekipit Monitorues Ndërlidhës (LMT) që vepron në komunën e Istogut dhe pjesës CIMIC të RC-W, si dhe bashkëpunimit aktiv të xhenierëve Italianë të RC-W, mundësuan ngritjen e brigjeve të lumit dhe mirëmbajtjen e shtratit të lumit. Këto do të mundësojnë rrjedhjen e duhur të ujit në një zonë ku, në ditët me shi, qarkullimi i lirë bëhej i pamundur dhe shkaktoheshin dëme të konsiderueshme në arat e afërta të destinuara për prodhim bujqësor”, thuhet në komunikatë.

Tutje, sikundër qartësohet në komunikatë, gërmimi dhe ndërtimi i brigjeve zgjati gjithsej dy javë dhe përfshiu të gjithë shtrirjen e paasfaltuar të përroit, por edhe pjesën e përroit që ndodhet pranë urës dhe u krye me përdorimin e makinerive tokësore të xhenios.

Më tej njoftohet se në ceremoninë e përfundimit të punimeve ishin të pranishëm autoritetet civile dhe ushtarake, duke përfshirë komandantin e Komandës Rajonale Perëndimore, kolonel Francesco Ferrara dhe kryetarin e Istogut, Ilir Ferati.

“Kontingjenti italian i Forcës së Kosovës (KFOR), në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, duke promovuar në të njëjtën kohë aktivitete të dobishme nën drejtimin e Komandës Operative të Forcave të Bashkuara”, thuhet në fund të komunikatës. /Kosova.info/

Go to TOP