Kombëtare

KFOR tregon nëse ka ndërmend ta kaloj Manastirin e Deçanit te Policia e Kosovës

Pyetjet e KFOR-it britanik për qytetarët e fshatit Gorazhdevc të Pejës, nëse do të ishte më mirë që Manastiri i Deçanit të sigurohej nga Policia e Kosovës në vend të tyre, nuk kanë pasur të bëjnë me ndonjë largim eventual të kësaj trupe nga ruajtja e trashëgimive kulturore në Kosovë, por ishte një aksion i thjeshtë rutinor dhe procedural që kjo strukturë e bën.

Kështu kanë thënë nga kjo forcë paqeruajtëse ndërkombëtare, nga ku thonë se sikurse çdo aktivitet tjetër, edhe ky në Gorazhdevc është bërë me qëllim për të vlerësuar se si po vazhdon të zhvillohet situata e sigurisë në vend.

“Rasti të cilit iu referoheni përfshin personelin e Mbretërisë së Bashkuar të caktuar për KFOR dhe është pjesë e aktivoteteve të përdishme të Forcës për të zbatuar mandatin e marrë nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e KFOR.

Të pyetur nëse është diskutuar për ri-rregullim të mbrojtjes së manastirit – kalim të kompetencave te Policia e Kosovës – nga zyra për komunikim e KFOR-it thonë se “gjatë kryerjes së aktiviteteve të tij, KFOR punon në bashkëpunim të ngushtë me një varg aktorësh, përfshirë Kombet e Bashkuara, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit dhe Organizatat e Sigurisë në Kosovë”.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës thonë se ky institucion gradualisht ka filluar të marrë nga KFOR-i sigurimin e disa objekteve kulturore-fetare, e që me pranimin e kësaj përgjegjësie, gjatë katër vjetve të fundit në objektet të cilat mbrohen nga PK, nuk ka pasur asnjë rast të raportuar.

“Policia e Kosovës para më shumë viteve ka filluar që gradualisht të marrë nga KFOR-i për t’i siguruar disa objekte kulturore-fetare, për momentin janë 24 objekte që sigurohen nga policia, respektivisht Njësia për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare. Nga muaji gusht i 2017-tës në objektet që sigurohen nga policia nuk ka pasur asnjë raste të raportuar”, thuhet në përgjigjen e Policisë .

PK shprehet e gatshme dhe thonë se ka kapacitete edhe logjistike edhe profesionale dhe me personel të mjaftueshëm, për të siguruar edhe objekte të tjera të kësaj natyre.

Aksioni i KFOR-it i zhvilluar të martën e 15 qershorit, duke anketuar qytetarët e asaj zone për largimin e tyre, ka shqetësuar jo vetëm banorët, por edhe figura të skenës politike serbe.

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, Petar Petkoviq, ka deklaruar se Beogradi do të insistojë që KFOR të qëndrojë në Kosovë dhe të vazhdojë ta ruajë Manastirin e Deçanit.

Sipas tij, ky manastir “do të rrafshohej me tokë nëse do të ruhej nga Policia e Kosovës”, raportoi media serbe ‘Tanjug’.

“Në momentin që KFOR largohet – dhe Zoti e ruajt që të largohet, dhe ne do të insistojmë në të gjitha mënyrat për të qëndruar, sepse kjo forcë duhet të qëndrojë –Visoki Deçani do të rrafshohej me tokën”, tha ai.