Kosova

KFOR-i sqaron se takimi Hoti – Stoltenberg nuk lidhet me rastin Karaçeva

Misioni i KFOR’-t në Kosovë ka sqaruar natyrën e takimit që do të ndodhë sot mes kryeministrit Avdullah Hoti me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Përmes një komunikate për media, KFOR-i ka thënë se takimi Hoti-Stoltenberg ka qenë i planifikuar për një kohë të gjatë dhe nuk lidhet me incidentet e kohëve të fundit siç është ai i Karaçevës.

“NATO dhe KFOR-i theksojnë se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar për të mbajtur një ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës sipas Rezolutës së Kombeve të Bashkuara 1244. Takimi mes sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe z. Avdullah Hoti është i planifikuar për një kohë të gjatë dhe nuk lidhet me incidentet specifike të kohëve të fundit. NATO vazhdon të përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili është thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë rajonale”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Kryeministri Avdullah Hoti takohet sot me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në selinë e NATO-s në Bruksel.

Hoti dje ka zhvilluar takimin e nivelit të lartë me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq për të vazhduar dialogun mes dy shteteve.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.