Kosova

KFOR-i merr nën kontroll Liqenin e Ujmanit (Foto/Video)

Liqeni dhe Hidrocentrali i Ujmanit (Gazivodës) afër Zubin Potokut në veri të Kosovës, që nga mesnata, janë marrë nën kontroll të plotë të forcave KFOR-it.

Sipas mediave serbe, ushtarët e KFOR-it janë vendosur në fillim të digës së Liqenit të Ujmanit, kurse automjet dhe pjesëtarët e KFOR-it të armatosur kanë bllokuar të gjitha rrugët që shpiejnë te liqeni.

“Ushtarët janë të armatosur me armë të gjata dhe disa mitralozë dhe nuk lejojnë as gazetarët të afrohen”, shkruan gazeta serbe Kurir.

Sipas kësaj gazete, ushtarët e KFOR-it kanë marrë nën kontroll të plotë Liqenin dhe Hidrocentralin e Ujmanit gjatë natës vonë dhe askujt nuk i lejohet qasja andej.

Gjatë zhvillimit të këtij operacioni, në veri të Kosovës kanë fluturar helikopterët e KFOR-it.

Ndryshe gjatë ditëve të fundit, është raportuar se do të ketë trazira në veri për shkak se serbët do të tentojnë ta shpallin autonominë më 5 gusht (nesër) ndërsa sot në Beograd është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Kosovës është mbledhur dje në Prishtinë ku kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se situata është e qetë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.