Kosova

KFOR-i i dhuron Policisë së Kosovës pajisje për njësinë e Krim-teknikës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, priti sot komandantin e KFOR-it, Lorenzo D’Addario dhe komandantin e Regjimentit Karabinieri MSU (Multinational Specializated Unit) kolonelin Ruggiero Capodivento.

Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Rashit QALAJ, falënderoi komandantin e KFOR-it Lorenzo D’Addario si dhe komandantin e MSU-së për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Policisë së Kosovës, qoftë me trajnime apo pajisje dhe aparatura të punës për njësi të ndryshme të PK-së.

Komandanti i KFOR-it, Lorenzo D’Addario, tha se një nga detyrat e misionit të KFOR-it është edhe mbështetja e institucioneve të sigurisë, në veçanti për PK-në, e cila është bartësja kryesore e sigurisë në Kosovë. Policimi efektiv është bazë për siguri dhe PK-ja është shembull në këtë aspekt.

Policia e Kosovës me këtë rast ka pranuar një donacion të pajisjeve nga MSU – Karabinieri, të cilat do të shërbejnë për njësinë e Krim-teknikës (forenzikës) së Policisë së Kosovës. Këto pajisje do të rrisin edhe më tej nivelin e profesionalizmit të zyrtarëve të PK-së dhe do të ndihmojnë në kryerjen e detyrave me metoda më bashkëkohore, thuhet në njoftimin për media në lidhje me këtë takim. /Kosova.info/