Kosova

Këshilltari dhe pesë personave të tjerë të Gjilanit po akuzohen për fajde

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj 6 personave për veprën penale të fajdesë.

Në mesin e të akuzuarve është edhe këshilltari komunal i Gjilanit, Ibish Ibishi dhe një mjek nga Spitali Regjional i Gjilanit.

Viktima e fajdeve, sipas prokurorisë, është E.I, i cili është marrë me shitjen e barnave dhe i cili kishte një lokal në qendrën e qytetit në Gjilan, raporton Koha.net.

E.I ishte zhytur në telashe financiare dhe se të akuzuarit i kishin ofruar para me kamatë. Vlera totale e parave të cilat i kishte pranuar viktima nga të akuzuarit ishte 320 mijë euro e 5 mijë franga. Ndërkaq E.I kishte arritur që të kthejë shumë në vlerë prej 246 mijë eurosh. Pas kthimit të shumës, E.I ishte paraqitur tek organet e drejtësisë ku edhe kishte denoncuar marrëveshjet të cilat ishin arritur për kthimin e parave me kamatë.

Prokuroria kishte urdhëruar zbatimin e masave të fshehta ndaj të akuzuarve dhe në bazë të këtyre masave janë siguruar edhe provat të cilat kanë rezultuar me ngritjen e aktakuzave, kanë thënë burimet brenda prokurorisë.

Gjithsej 10 persona janë hetuar për dhënien e parave me kamatë nga prokuroria.

Ndaj 4 personave janë pushuar hetimet, ngase nuk ka prova se janë të përfshirë në këtë vepër penale. Sipas prokurorisë, të akuzuarit dhe viktima njiheshin prej më parë. “Marrëveshjet për kamatë janë të dënueshme dhe ndiqet penalisht. Këta kanë bërë marrëveshje për një lartësi të interesit. Këto marrëveshje kryesisht janë realizuar me gojë. Është specifikë se në këtë rast të fajdeve të akuzuarit nuk kanë histori kriminale po ashtu edhe viktima nuk ka histori kriminale. Të akuzuarit arsyetohen se i ka dhënë para ngase e kanë njohur moti viktimën. Të akuzuarit janë fqinj dhe miq të viktimës. Por ekziston dyshimi i bazuar se këta kanë kryer këtë vepër penale”, kanë thënë burime brenda prokurorisë.

Sipas prokurorisë, viktima kishte deklaruar se ishte zhytur në fajde ngase nuk kishte mundësi që të merrte kredi në banka për shkak të obligimeve të mëhershme dhe për këtë arsye kishte zgjedhur që të kontaktojë me të akuzuarit. Kurse këto burime theksojnë se personat ndaj të cilëve janë pushuar hetimet mund të ndjekin rrugën ligjore dhe të kërkojnë borxhin.

“Po ndaj katër personave ne kemi pushuar hetimet. Sepse nuk kemi gjetur prova se ata kanë dhënë para me fajde. Ata kanë deklaruar se i kanë dhënë paratë ngase e kanë njohur viktimën si biznesmen të ndershëm dhe se kanë qenë të sigurte se do i kthente paratë. Tash u takon atyre që të ndjekin rrugët ligjore për kthimin e borxhit. Kurse këta 6 të akuzuarit do të nxjerrën para gjyqit”, ka thënë ky burim.

Mirëpo këshilltari komunal, Ibish Ibishi pretendon se është viktimë e një mashtrimit të cilin e ka realizuar E.I. Ai thotë se E.I kishte kërkuar nga ai 30 mijë euro në emër të një investimi dhe nga ky investim ai do të përfitonte rreth 9 mijë euro.

“Ai më ka thënë se do të investojmë barna. Dhe nga ky investim unë do t’i fitojë 9 mijë euro pra nga shitja e barnave. Dhe unë i kam dhënë 30 mijë euro me mendimin se po bashkëinvestojmë dhe unë po i fitoj 39 mijë euro. Kjo ka qenë forma dhe deri tash asnjë cent nuk ma ka kthyer. Më vonë e kam kuptuar se kjo është një mashtrim. Por unë kam argumente se këtu nuk bëhet fjalë për fajde. Absolut nuk ka pasur kërcënim ndaj tij. Krejt çfarë kërkoj janë paratë e mia prej 30 mijë euro”, ka thënë ai.

Ai thotë se kanë pasur afërsi me E.I dhe se i ka besuar ngase e ka njohur si biznesmen të suksesshëm i cili drejtonte edhe një lokal për shitjen e barnave. Ai thotë se prokuroria është bazuar vetëm në deklaratën e një personi i cili denoncon të tjerët për fajde.

“Në kokën e tij nuk e di se çfarë ka pasur por e di çfarë më ka thanë. Edhe në hetuesi dhe prokurori kam vlerësuar se më ka mashtruar ky person. Me këtë person njihemi që nga vitet e 90-ta. Është mashtrim dhe tradhti ndaj miqve dhe ndaj shokëve për përftime personale. Prokuroria është bazuar vetëm në deklaratën e tij”, thotë Ibishi.Ndryshe të akuzuar në këtë rast nga prokuroria janë A.A, L.K, B.A. A.K, J. S si dhe I.I

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.