KULTURË

Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit ka kërkuar nga organet qendrore dhe ato lokale për mbrojtjen e lokalitetit arkeologjik

 Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit ka kërkuar nga organet qendrore dhe ato komunale mbrojtjen e lokalitetit arkeologjik në Sheshin e Lidhjes, me ndërmarrjen e masave adekuate për konservim dhe ruajtje.

Sipas këtij këshilli, mbetjet arkeologjike në këtë lokalitet janë dëmtuar e shkatërruar si pasojë e mospërkujdesjes adekuate. Në anën tjetër, niveli qendror ka theksuar se do të shtohen angazhimet për përmbylljen e këtij projekti, derisa niveli lokal është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë për secilin vendim që merret nga ministria përkatëse.

KTK-ja e Prizrenit në shkresën dërguar Institutit Arkeologjik të Kosovës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, si dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit, ka përkujtuar se në fund të vitit 2014, gjatë gërmimeve të dheut për ndërtimin e një fontane si pjesë të Sheshit të Lidhjes është zbuluar lokaliteti arkeologjik. Aty theksohet se në vitin 2018 IAK-ja i ka parashtruar KTK-së kërkesë për pëlqim, për konservimin dhe prezantimin e lokalitetit.

“Kërkesa përfshinte 3 propozime të planifikuara të punimeve, pa detaje të hollësishme, prandaj anëtarët e Këshillit konsideruan se këto janë propozime preliminare dhe projekti duhet të kompletohet. KTK prej asaj kohe asnjëherë më nuk ka pranuar ndonjë projekt të kompletuar”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga kryesuesja e KTK-së në Prizren, Artnet Haskuka. Tutje theksohet se zvarritja disavjeçare lidhur me këtë projekt ka bërë që si rezultat i temperaturave të larta në verë dhe të ulëta në dimër, mbetjet arkeologjike të shkatërrohen deri në masë të mosnjohjes.

“Efektet negative atmosferike, veçanërisht dielli i fortë, ka rezultuar me tharje dhe plasaritje të tullave, llaçit gëlqeror dhe higroskopik (horasan) që kanë qenë lidhës të muratimit dhe tanimë janë jofunksionale. Lagështia e mbledhur në pjesën e themeleve ka ndikuar në formimin e mykut dhe kripërave që kanë shpejtuar shkatërrimin e objektit. E gjithë kjo situatë gjatë viteve është shoqëruar me rritjen e pakontrolluar të vegjetacionit që më tej dekompozon mbetjet e llaçit dhe shtresave të lokalitetit”, thuhet në shkresë, teksa më tej shtohet se lokaliteti ngadalë por sigurt është shndërruar në një vendgrumbullim mbeturinash.