Kombëtare

Kërstiq dhe Shabanaj e mohojnë fajësinë për krime lufte në Nerodime

Një shqiptar dhe një serb, të dyshuar për krime lufte ndaj civilëve në Nerodime të Ferizajt, kanë dalë para Gjykatës Themelore në Prishtinë këtë të hënë.

Zlatan Kërstiq dhe Destan Shabanaj, në seancën fillestare kanë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat që akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Kërstiq akuzohet se me vetëdije ka marrë pjesë në sulmin kundër familjes Nuhaj nga fshati Nerodime e Epërme.

Ndërsa, sipas Prokurorisë, i akuzuari tjetër, Shabanaj, ka urdhëruar që trupat e të vrarëve të varrosen në kundërshtim me rregullat e luftës, të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare.

Zlatan Kërstiq dhe Destan Shabanaj u arrestuan vitin e kaluar.

Ndërkaq, më 9 janar të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj tyre për krimet e luftës ndaj popullatës civile.

Kërstiq akuzohet për vrasjen e Ismet Ramadanit, Osman, Brahim, Bajram e Agron Nuhajt dhe për pjesëmarrje në maltretimin e 15 anëtarëve të tjerë të kësaj familjeje nga fshati Neordime, shkatërrimin e pasurisë së tyre dhe dëbimin nga vendbanimi i tyre.

Ndërsa, Shabanaj, sipas aktakuzës, në cilësinë e inspektorit policor, ka urdhëruar që trupat e të vrarëve të varrosen në një gropë masive pa u respektuar ligjet e ritet fetare.

Shabanaj megjithatë, në deklaratën e tij dhënë këtë të hënë para gjykatës, ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se kishte respektuar të gjitha ligjet.