Kosova

Kërkohet zgjerim i hetimit në rastin e vrasjes së 11-vjeçarit në Fushë Kosovë

Që nga korriku i vitit të kaluar, S. O., i akuzuari për dhunim dhe vrasje të rëndë të Kujtim Veselit nga Fushë Kosova, ndodhet në paraburgim.

Pak para se të bëhet një vit nga rasti, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj tij ka nisur procesi gjyqësor, raporton KOHA.

Më 6 qershor është mbajtur shqyrtimi fillestar, ku S.O. ka pranuar fajësinë për dhunim, por e ka mohuar atë për vrasje të rëndë.

Aktakuza është ngritur në muajin prill nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Mbrojtja ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës për hedhje të aktakuzës dhe, sipas avokatit Fitim Malokajt, Gjykata ka aprovuar pjesërisht kërkesën sa i përket pikës së aktakuzës për vrasje të rëndë.

Por, avokatja e cila përfaqëson familjen e Kujtimit, Rina Kika, thotë se familja nuk ka qenë e njoftuar për mbajtjen e seancës, gjë që, sipas saj, paraqet shkelje të të drejtave të palës së dëmtuar.

Për më tepër, ajo thekson faktin që nuk është zhvilluar asnjë hetim penal për prokurorët dhe policët që kishin qenë përgjegjës për rastin.

Prokuroria Themelore e Prishtinës në pyetjet e televizionit lidhur me rastin është përgjigjur shkurt, duke iu referuar komunikatës kur është bërë e ditur ngritja e aktakuzës dhe vendimit të Gjykatës Supreme dhe atij të Këshillit Prokurorial lidhur me rastin e prokurorit Ruhan Salihu, të cilit vetëm i është zbritur paga prej 30% për gjashtë muaj.

Ndërkohë, brenda dhjetë ditëve qëkur ka nisur peticioni “Drejtësi për Kujtimin”, janë mbledhur 1 mijë nënshkrime.

Mes tjerash kërkohet që shteti i Kosovës të kompensojë familjen Veseli për shkelje të të drejtave të njeriut.

I mituri Kujtim Veseli nga Fushë Kosova u gjet i vrarë para një banese më 11 korrik të vitit të kaluar.

Sipas familjes së tij, ai ishte dhunuar vazhdimisht nga S.O. dhe për këtë ishte raportuar disa herë në Polici.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483