Kosova

Kërkohet të mos përdoren dallimet ndërmjet ShBA-së dhe BE-së në qëndrimin për taksën

Washingtoni dhe Brukseli kanë shprehur qëndrime të kundërta përballë planit të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e pjesshme të taksës ndaj mallrave serbe.

Por, njohësit e zhvillimeve politike po thonë se politika kosovare duhet të bashkëpunojë me të dy partnerët ndërkombëtarë, pa bërë dallime ndërmjet tyre, raporton KOHA.

Njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, beson se mosuniteti brenda BE-së bën që Brukselit të mos i ngutet me çështjen e dialogut, teksa në anën tjetër SHBA-ja vazhdon trysninë për vazhdimin e këtij procesi.

“Historinë e kemi dëshmitare se involvimi i ShBA-së është involvim i drejtpërdrejtë, i përqendruar dhe me energji politike që na jep të kuptojmë se e ka ndërmend dhe mund të zgjidhë situatën”, ka thënë Abdullahu.

“Është gati-gati edhe qesharake dhe paradoksale që të tentohet të krijohet një narracion që ne jemi me BE-në dhe nuk jemi me BE-në. Edhe nuk qëndron si narracion, mirëpo as nuk i bën nder Kosovës”, ka thënë Rasim Alija, njohës i çështjeve politike.

Përballë presionit të vazhdueshëm, në Lëvizjen Vetëvendosje mohojnë se Kosova ka i ftohur marrëdhëniet me ShBA-në.

“ShBA-ja e do një partner serioz në Kosovë. Asnjëherë nuk do të lejojmë ftohje ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së. Kjo as që ka ndodhur, sepse me ShBA-në na lidhin gjëra të tjera, jo vetëm taksa. Tek e fundit, ShBA-ja nuk do të rreshtohet në anën e Serbisë, kundër Kosovës. Këto janë retorikë e opozitës”, ka thënë Rexhep Selimi, deputet i LVV-së.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, gjatë vizitës në Prekaz të shtunën, nuk ka pranuar t’i komentojë deklaratat kundër taksës të ambasadorit Richard Grenell.