Kosova

Kërkohet që Prokuroria e Shtetit t’i hetojë pretendimet rreth vizitës në Dhomën e Përgjimeve

Pas akuzave publike nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndaj Kryeministrit Albin Kurti, se ky i fundit, bashkë me Zëvendëskryeministrin Haki Abazi dhe UD të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla kanë vizituar “Dhomën e Përgjimeve”, ka reaguar edhe KMDLNj – raporton Kosova.info

Ja reagimi i plotë:

PROKURORIA E SHTETIT TË HETOJË PRETENDIMET PËR HYRJE NË DHOMËN E PËRGJIMEVE!

Presidenti i Kosovës, z.Hashim Thaçi dhe ish kryeshefi i PostTelekomit, z. Bedri Istrefi publiksht deklaruan se kryeministri i Kosovës , z. Albin Kurti, zkryeministri, z. Haki Abazi dhe zministri për Punë të Brendshme, z. Xhelal Sfeqla, pasakan hyrë në Dhomën e Përgjimeve gjatë tre ditëve pasi, paraprakisht i kanë shkyçur kamerat. Në ndërkohë këto deklarime janë mohuar nga të përmendurit ndaj të cilëve është ngritur dyshimi publik se pa autorizim të Prokurorit të Shtetit kanë hyrë në një vend rreptësisht të ndaluar duke rrezikuar në këtë mënyrë seriozisht privatësinë e qytetarëve të Kosovës. Për të hequr dyshimet e pretenduara apo për të vërtetuar këto dyshime, KMDLNj fton Prokurorin e Shtetit të bëjë hetime për faktin se kemi të bëjmë me dyshime të ngritura e që janë shumë serioze duke krijuar pakënaqësi dhe shqetësim te qytetarët për sigurinë dhe privatësinë e tyre. KMDLNj vlerëson se ky rast duhet të trajtohet nga Prokuroria e Shtetit me një prioritet të lartë dhe, pas përfundimit të hetimeve duhet të adresohet përgjegjësia konkrete qoftë për shqetësim të opinionit përmes shpifjeve , qoftë për ndërhyrje ilegale dhe të paautorizuar në Dhomën e Përgjimeve. Në rastin konkret nuk mund të jenë dy të vërteta dhe nëse Prokuroria e Shtetit e kalon në heshtje këtë çështje do të bartë përgjegjësi për legalizim të shpifjes ose për rrezikim të privatësisë për qytetarët e Kosovës të drejtat e të cilëve po shkilen rëndë në rastin konkret. Fjala apo dyshimi publik ka përgjegjësi publike, morale, politike dhe penale prandaj vetëm një hetim i shpejtë, i paanshëm dhe profesional mund dhe duhet ta adresojë përgjegjësinë konkrete, të mbështetur në prova e jo në spekulime. KMDLNj është i shqetësuar për fjalorin fyes, kërcënues dhe të turpshëm që po e përdorin politikanët e Kosovës për ta diskredituar njëri-tjetrin, në mungesë të fakteve apo ideve që kontribuojnë për të mirën e qytetarit./Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.