Bota

Kërkohet ndihmë urgjente për ishujt e goditur nga uragani “Dorian”

Zyrtarët amerikanë dhe disa shtete në mbarë botën kanë bërë thirrje urgjente për dërgimin e ndihmave në Ishujt Bahamas pasi pjesa veriore e arkipelagut u godit rëndë nga uragani “Dorian”.

Mijëra banorë të ishujve Grand Bahama dhe Abaco kanë mbetur pa strehë për shkak të vërshimeve. Për më tepër, ata janë në rrezik që të mbesin pa ushqim, ujë dhe ilaçe. Sipas deklaratave të Kombeve të Bashkuara dhe Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, situate do të përkeqësohet, nëse nuk merren masa të shpejta nga komuniteti ndërkombëtar.

“Jemi në mesin e një tragjedie historike. Shkatërrimet janë të pashembullta dhe kanë shtrirje të gjerë”, tha kryeministri i Ishujve Bahamas, Hubert Minnis.

Niveli i fatkeqësisë humanitare filloi të dalë në pah pas largimit të stuhisë të martën pasdite. Uragani zgjati rreth 36 orë dhe e përfshiu tërë ishullin Grand Bahama, i cili është rreth tetë kilometra i gjerë.

Kryeministri Minnis njoftoi të martën në mbrëmje se numri i viktimave ka shkuar në shtatë dhe autoritetet presin që ai të rritet edhe më shumë. Sipas tij, procesi i rindërtimit të ndërtesave të dëmtuara do të kërkojë përpjekje masive dhe të koordinuara.

Stuhia e kategorisë së pestë e goditi edhe ishullin Abaco me erëra të fuqishme, të cilat e arritën shpejtësinë deri në 360 kilometra në orë. Kështu, ky ishte uragani më i fuqishëm i Oqeanit Atlantik që ka arritur ndonjëherë edhe në sipërfaqe tokësore. Ai është krahasuar vetëm me një stuhi të vitit të largët, 1935, shkruan “The Guardian”