SHËNDETËSIA

Kërkesa të shumta të pacientëve për trajtim mjekësor jashtë Kosovës

Rreth 1200 pacientë kanë përfituar nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore të Kosovës. Ndërkohë, rreth 200 pacientëve u janë refuzuar kërkesat për përfitime nga ky fond, i cili kap shumën prej 6 milionë euro në vit.

Këto informacione, për Radion Evropa Lirë i konfirmon Bardhyl Jerliu, udhëheqës i divizionit për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore.

“Nga 1369, sa është numri i pacienteve te cilët kane aplikuar për përkrahje financiare për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike gjatë vitit 2019, kanë përfituar rreth 1200 pacientë”, thotë Jerliu.

Ai ka treguar edhe për klinikat të cilat më shpesh i referojnë pacientët për shërim jashtë institucioneve publike shëndetësore, për shkak të pamundësisë së trajtimit të tyre në Kosovë.

“Klinikat të cilat më së shumti i referojnë pacientë për trajtim jashtë Kosovës janë ata me probleme oftalmologjike apo sëmundjet e syve, pastaj pediatria, fëmijët me probleme në zemër, pra sëmundjet kardiokirurgjike, sëmundjet malinje, pastaj ortopedia, otorinolaringologjia e hemato-onkologjia”, tha Jerliu.

Por, sipas Bankës Botërore, llogaritet se janë edhe 140 milionë euro të cilat qytetarët e Kosovës i shpenzojnë për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme jashtë vendit.

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, thotë se shifrat e Bankës Botërore janë zyrtare dhe të verifikuara, por, sipas tij, në fakt shuma reale e parave që shpenzojnë qytetarët e Kosovës për nevoja të trajtimeve shëndetësore është shumë më e lartë.

“Këto janë shifra të Bankës Botërore, por ne e dimë që janë edhe shumë qytetarë që nuk deklarohen dhe shpenzojnë shuma të mëdha e që parashihet se arrin deri në 200 milionë euro”, thotë Syla.

“Kardiologjia dhe Kardiokirurgjia, gjatë vitit 2019 ka kursyer deri pesë 5 milionë euro buxhetin e shtetit, prej kur janë funksionalizuar dhe shërbimet për trajtimin e sëmundjes së zemrës, shërbime këto që qytetarët i kanë marrë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, tha Syla.

Njëra nga pacientet e cila nuk ka përfituar nga ky fond është Blerina. Ajo kishte vendosur që gjatë muajit dhjetor të vitit 2019, të udhëtonte në një shtet jashtë Kosovës për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor për sëmundjen e kancerit, pasi që ai trajtim nuk aplikohet në Kosovë.

“Hemoterapia aplikohet në Kosovë, por jo edhe disa terapi tjera, e njërën që unë e është dashur ta marr, nuk aplikohet në vend. Kjo është edhe arsyeja që kam vendosur të shkoj jashtë vendit. Këtu kanë thënë që deri vitin e ardhshëm nuk aplikohet terapia që unë duhet ta marr”, thotë Blerina.

“Njëkohësisht nuk e kanë lëshuar as dokumentin që unë kam nevojë të trajtohem jashtë. Dhe si familje, kemi vendosur të shkojmë me mjete vetanake, e që ende nuk e di as sa kushton”, ka thënë Blerina kohë më parë për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, pacientët shpeshherë kanë kërkuar shërbime jashtë Kosovës edhe nëse të njëjtat ofrohen në Qendrën Klinike Universitare, pasi që janë ankuar në cilësinë e ofrimit të atyre shërbimeve.