Kosova

Kërkesa e Haradinaj-Stublla që mes Kosovës dhe Gjermanisë, të përmbylljet procesi i njohjes së patentë-shoferëve

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, e shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka pritur në një takim Drejtorin e së Drejtës për Rrugë dhe Marrëveshje Ndërkombëtare në Ministrinë e Transportit dhe Digjitalizimit në Qeverinë e Gjermanisë,  Guido Zielke.

MPJD përmes një njoftimi për media ka bërë ditur se në takim u bisedua procesi i avancimit të bisedimeve rreth njohjes së patent-shoferëve mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Haradinaj- Stublla me këtë rast theksoi nevojën që ky proces të përmbyllet sa më shpejt ngase siç tha ajo janë me mijëra shqiptarë nga Kosova të cilët janë futur në tregun e punës në Gjermani dhe nuk kanë të drejtë të përkthejnë patent- shoferët e tyre.

Shefja e diplomacisë kosovare e siguroi Zielke se Qeveria e Kosovës është e vendosur që të zbatojë rekomandimet e Qeverisë së Gjermanisë në mënyrë që kjo marrëveshje të përmbyllet sa më shpejt. Duke u shprehur optimist se ky proces do të përmbyllet së shpejti, Zielke tha se pas vizitës që kishte realizuar delegacionit gjerman në muajin shkurt, priste që njohja reciproke e patent-shoferëve të mbyllej qysh këtë vit, porse rrethanat pandemike kanë bërë të pamundur takimin e ekspertëve të të dyja vendeve.