Bota

Kërcënimi nga koronavirusi rritet në nivelin më të lartë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) e rriti të premten kërcënimin nga koronavirusi i ri në nivelin më të lartë.

Shefi i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se ky hap u ndërmor për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të rasteve dhe të numrit të vendeve të prekura, në ditët e fundit.

“Këto zhvillime janë qartazi shqetësuese”, u tha Ghebreyesus gazetarëve në Gjenevë.

“Ne kemi ende shanse për ta frenuar këtë virus, nëse ndërmerren veprime të fuqishme për zbulimin e hershëm të rasteve, si dhe për izolimin dhe kujdesin ndaj pacientëve”, tha ai.

Koronavirusi, i identifikuar si COVID-19, e ka origjinën në qytetin Vuhan të Kinës.

Rastet e para atje janë shfaqur në dhjetor të vitit të kaluar, por që atëherë dhjetëra shtete të botës kanë konfirmuar se kanë njerëz të infektuar.

Të premten, Nigeria konfirmoi rastin e parë në Afrikën Nën-Sahariane.

Shifrat e fundit, të raportuara nga autoritetet shëndetësore të secilës qeveri të premten në Pekin, tregojnë se koronavirusi ka infektuar mbi 83,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa mbi 2,800 pacientë kanë vdekur.