INTERVISTA

Ker-Lindsay: Grenell duket se u emërua për ta bindur Gjermaninë rreth finales Kosovë-Serbi

Vendimin e Presidentit të ShBA’së, Donlad Trump, për të emëruar Richard Grenell si Përfaqësues Special Presidencial për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, profesori i LSSE dhe eksperti i çështjeve që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor, James Ker-Lindsay, po e sheh si një shenjë të qartë që SHBA’ja dëshiron një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Edhe përkundër faktit që është i befasur me këtë emërim, Ker-Lindsay thotë se përvoja e Matthew Palmer dhe fuqia politike e Grenell, e bëjnë të frikshme këtë dyshe.

Gazeta Express: Si e komentini faktin që Presidenti i SHBA’së, Donald Trump, ka emëruar Richard Grenell si Përfaqësues Special Presidencial për dialogun Prishtinë-Beograd?

Ker-Lindsay : Ky emërim sigurisht që ka qenë befasi e vërtetë për shumë analistë. Nuk kishte paralajmërim paraprak. Për aq sa kanë ditur vëzhguesit e Ballkanit, Matthew Palmer do ta merrte udhëheqjen e negociatave. Më pas, papritmas, u dha njoftimi se Grenell do të jetë përgjegjës për bisedime. Kjo solli mjaft hutime. Sidoqoftë, duke e marrë parasysh marrëdhëniet e tij të ngushta me Trump-in, ishte gjithashtu menjëherë e qartë se ky emërim është shenjë se Shtëpia e Bardhë është e përkushtuar që ta sigurojë një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës.

Gazeta Express: A shihni mospërputhje ndërmjet Sekretarit të Shteitt dhe Presdientit të SHBA’së, sepse Pompeo rreth para një muajit kishte emëruar Matthew Palmer si Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi?

Ker-Lindsay: Qartazi, emërimi i Grenell-it i ka ngritur shumë pyetje. Së pari, nuk ishte e qartë nëse Palmer-i është tërhequr nga roli i tij apo cila do të ishte marrëdhënia mes dy figurave. Megjithatë, tashmë është e qartë se Palmer-it i mbetet roli si i dërguar special për Ballkanin Perëndimor dhe se ai do të punojë së bashku me Grenell-in. Mbetet të shihet se çfarë do të thotë kjo në terma realë. Një gjë që do të thosha është se jam i sigurt që Palmer-i, si diplomat me përvojë dhe me njohuri të gjera për Ballkanin Perëndimor, do të jetë një burim shumë i dobishëm i këshillave dhe analizave për Grenell-in. Shpresoj që Grenell-i të jetë i vetëdijshëm për këtë. Në anën tjetër, Grenell-i do të sjellë përkrahje të rëndësishme politike për procesin. Nëse ata e gjejnë një rrugë për të punuar së bashku, do të ishin një ekip i frikshëm.

Gazeta Express: Çfarë mendoni se fshihet prapa vendimit të Trumpit për emërimin e Richard Grenell si Përfaqësues të ri Special për dialogun?

Ker-Lindsay : Vërtet nuk është e qartë. Është tepër e vështirë ta lexosh këtë Shtëpi të Bardhë. Sidoqoftë, ajo që duket qartë është se ky emërim synon ta sjellë në pah qëllimin e vërtetë. Administrata e Shteteve të Bashkuara qartazi po e kërkon një marrëveshje. Ndërkohë, nuk është sekret që në Uashington ekziston një shpresë që mes Serbisë dhe Kosovës mund të arrihet një marrëveshje dhe se kjo gjë duhet të bëhet sa më herët. Zgjedhjet në Kosovë e kanë shtyrë këtë proces dhe ka gjasa që edhe në Serbi të ketë zgjedhje në pranverë. Për shkak të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara në vjeshtën e ardhshme, duket se koha për arritje të marrëveshjes është e kufizuar. Emërimi i Grenell-it duket se është tregues që Shtetet e Bashkuara tashmë do t’i bëjnë të gjitha përpjekjet për arritjen e marrëveshjes sa më shpejt që është e mundshme.

Gazeta Express: Ka raportime që Trump dëshiron një marrëveshje deri në marsin e vitit 2020, dhe deklarime nga ish-diplomat të ndryshëm se Richard Grenell do të përpiqet të bind Gjermaninë rreth idesë së korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve. Si e komentoni këtë?

Ker-Lindsay: Mendoj se çështja kryesore që i ka nxitur thashethemet për natyrën përfundimtare të marrëveshjes është fakti që Grenell-i është edhe ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani. E dimë se Uashingtoni dhe Berlini kanë pasur dallime në qëndrimet për Kosovën. Prandaj, kjo lëvizje mund të duket si shenjë që Gjermania tash po shihet si vend kyç i cili duhet që të bindet. Siç kanë theksuar disa analistë, problemi është që Grenell-i nuk duket se e ka marrëdhënien më të mirë me qeverinë gjermane. Do të jetë interesante të shihet se si do të zhvillohen ky proces dhe kjo marrëdhënie.