Kosova

Këmbëngulë Haziri, marrëveshja duhet të bëhet vetëm sipas versionit të LDK-së

Lutfi Haziri, Nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), përsëri ka ngacmuar opinionin publik me një deklaratë të tij, duke e thumbuar atë që mund të jetë partner në koalicionin e ardhshëm qeverisës – Lëvizjen Vetëvendosje!

Ai ka thënë se bisedimet me LV-në kanë zgjatur, por jo sa ka zgjatur certifikimi i zgjedhjeve të 6 tetorit.

Haziri thotë se roli i LDK-së duhet të jetë i barasvlefshëm me LV-në, në rast se dy partitë duan që të arrijnë marrëveshje.

“Pritjet kanë qenë se do të bisedimet do të kryhen shpejt dhe do të kemi marrëveshje me Vetëvendosjen. Sot e tutje kanë mbetur pak ditë deri më 4 shkurt, pjesa me madhe e marrëveshjes është kryer, por duhet të jetë ndarje të drejt sipas formulës së LDK-së të datës 8 janar. Roli jonë duhet të jetë i barasvlershëm dhe se VV duhet ta shoh LDK së si pjesë të marrëveshjes”, tha ai sot për RTK.

Haziri ka përsëritur se LDK-ja insiston të ketë kryetarin e Kuvendit të Kosovës. 

“Ne kërkojmë zbatim të marrëveshjes politike, ne e shohim kështu. Ne kemi votuar Glauk Konjuvcën, pasi që ne kishim dhënë fjalën, nëse dikush ka dashur të na sprovoj ne kemi dëshmuar atë”, tha ai.

Sipas tij LDK-ja e ka bërë të qartë, ose shkon me VV në qeveri ose shkon në opozitë.

 “Zgjedhjet nuk janë zgjidhje”, përfundoi ai.