Bota

Kelu Chao emërohet ushtruese e detyrës së shefes në USAGM

Shtëpia e Bardhë e ka emëruar një drejtuese të lartë të Zërit të Amerikës si ushtruese të detyrës së agjencisë që mbikëqyr transmetuesit ndërkombëtarë amerikanë, përfshirë Radion Evropa e Lirë.

Drejtorja e Programit të Zërit të Amerikës, Kelu Chao, u emërua shefe ekzekutive e Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM) pas dorëheqjes së shefit të mëparshëm, Michael Pack.

Ai tha se dorëheqja ishte kërkuar nga presidenti i ShBA-së, Joe Biden, vetëm disa orë pasi ai ishte betuar.

Mandati i USAGM-së është të promovojë lajme të paanshme në mbështetje të lirisë dhe demokracisë jashtë vendit.

Chao ka një përvojë më se 20 vjeçare në Zërin e Amerikës, duke përfshirë punën si reporterë në terren, shefe e byrosë së Hong Kongut, shefe e shërbimit Mandarin dhe drejtore e divizionit të Azisë Lindore.

Ajo gjithashtu dëshmoi vitin e kaluar si pjesë e një procesi gjyqësor rreth ndërhyrjes editoriale nga Pack dhe ndihmësit e tij.

Në faqen e USAGM-it nuk ka ende asnjë njoftim për dorëheqjen e Michael Pack.

Por, Radio Publike Kombëtare e ShBA-së, Washington Post dhe Washington Examiner shkruajnë në Twitter se Michael Pack ka dorëzuar letrën e tij të dorëheqjes nga posti i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM).

Në të, Pack, i emëruar nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, citon kërkesën “dëshpëruese” të administratës së re për dorëheqjen e tij.

“Është dëshpëruese kërkesa për dorëheqjen time. Kjo, për kohë të gjatë, do të shihet si akt partiak, që ka dëmtuar zyrën e krijuar për t’i shërbyer popullit amerikan dhe interesit kombëtar”, thuhet në letër.

Mandati i USAGM-it është të promovojë lajme të paanshme në mbështetje të lirisë dhe demokracisë jashtë ShBA-së.

Por, mandati i Packut ka nxitur akuza – edhe nga ish-shefat e Radios Evropa e Lirë, redaktorët dhe drejtorët e shërbimeve të saj – se ai ka braktisur traditat dypartiake dhe ka bërë përpjekje të forcojë ndikimin e një partie mbi transmetuesit.

Biden dhe ekipi i tij i tranzicionit – i udhëhequr nga Richard Stengel – janë zotuar se do t’i rishikojnë plotësisht veprimet e Packut dhe kanë lënë të kuptohet se ai mund të zëvendësohet.